Kështu shprehet deputetja e Partisë Socialiste, Mimoza Hafizi, duke akuzuar për deformim të votës së anëtarëve socialistë. Ajo theksoi se i ka kërkuar komisionit zgjedhor në PS, t'i dorëzojë fotokopjet e të gjitha listave të pjesëmarrësve në procesin e votimit, me nënshkrimet e votuesve, në 385 qendrat e votimit të vendit.
"Ne i ftuam socialistët t’i thonë "Jo" këtij procesi, me argumente të zhvilluara përgjatë 3 javëve pas Kongresit. Si të tillë, ne ishim alternativa referendare.
Në Kodin Zgjedhor të Partisë, neni 55.6, si alternativë referendare ne kishim të drejtën e vëzhgimit të procesit. E kemi kërkuar që në ditën e parë, publikisht. Një ditë para referendumit, unë kam ndjekur gjithkund Komisionin Zgjedhor të Partisë Bashkia Shkodër, për t’i kërkuar akreditimin e vëzhguesve në 11 qendrat e votimit në këtë bashki. Komisioni është fshehur, është ndërruar në momentin e fundit, nuk më është përgjigjur. Për këtë kam dokumentim të plotë. Ne nuk na u dha mundësia të kemi vëzhgues, për të shënuar se cilët ishin pjesëmarrësit realë në procesin e votimit. Në këto kushte, është detyrim ligjor që të na plotësohet kërkesa: të na vihen në dispozicion fotokopjet e të gjitha listave të pjesëmarrësve në procesin e votimit, me nënshkrimet e votuesve, në 385 qendrat e votimit të vendit. Kërkesën do ia parashtrojmë KZP, Komisionit Zgjedhor të Partisë, sapo ky komision të shpallë rezultatin e referendumit, kuti për kuti, ashtu siç e kërkon Kodi Zgjedhor i Partisë", u shpreh Hafizi.
Ajo deklaroi se bashkë me deputetin Blushi do të nisë një tur takimesh me anëtarësinë socialiste në rrethe.
"Me këto lista në dorë ne do shkojmë të kontaktojmë të gjithë socialistët shqiptarë, qytet më qytet e fshat më fshat, për t’iu treguar sesi emrat e tyre janë abuzuar dhe se sa i shëmtuar dhe i manipuluar ka qenë ky proces. Është detyra jonë morale para socialistëve dhe shqiptarëve", tha ajo.
Edhe deputeti tjetër kritik, Ben Blushi akuzoi një ditë më parë për manipulimin e procesit të referendumit. Ai akuzoi se komisioni zgjedhor nuk i ka vënë në dispozicion materialet zgjedhore të votimit të anëtarësisë në 9 Prill.
Redaksia Online
Shqiptarja.com