Ditën e sotme, Kryeministri Rama zhvilloi një takim me komisionerin për zgjerim, Johanes Hahn, në Bruksel. Takimi i ndodhur vetëm pak ditë pas Samitit të Londrës, në të cilin u koordinuan investimet e mëtejshme në përmbushje të axhendës së Procesit të Berlinit, kishte si synim koordinimin e punës përgatitore, për hapjen e negociatave.
Në konferencën për shtyp që pasoi takimin dypalësh, teksa konfirmoi qershorin 2019 si datën e përcaktuar për hapjen e negociatave, Komisioneri Hahn lëshoi edhe një kunj për opozitën, shkruan Lexo.al. “Të enjten e ardhshme do të jem në Tiranë, ku pres me padurim të flas për detajet e mëtejshme me Kryeministrin, qeverinë e tij dhe eksponentë të rëndësishëm të administratës”, tha Hahn, i cili duke iu referuar opozitës shtoi: “Do të shohim. Nëse do të gjejmë kohë, mund të flasim edhe me ta”.
Në fund të konferencës për shtyp, Hahn thumboi edhe një herë më shumë opozitën, teksa kujtoi se: “Për shqiptarët, objektivi i integrimit është një synim kombëtar, që tejkalon të gjitha ndasitë. Për këtë arsye, të gjithë duhet të bëhen bashkë”.