Gjatë një interviste për revistën “CorD”, referuar nga “B92”, Hahn deklaron se anëtarësimi i Ballkanit Perëndimor është i padiskutueshëm.
“Perspektiva e BE-së për anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor është e padiskutueshme dhe e vendosur”, tha Hahn dhe shtoi se ky është një vullnet politik konsensual i liderëve të unionit.
Komisioneri ka dalë hapur me idenë e një Hapësire Ekonomike Rajonale e cila është propozuar nga presidenti serb Vuçiç në kuadër të Proçesit të Berlinit, duke nënvizuar se kundërshtitë e disa vendeve në rajon mund të provokojë pakënaqësi në Berlin.
“Në Trieste ne do të flasim për lidhjen ekonomike, si dhe do të thyejmë barrierat për tregëtinë, por edhe për investimet e biznesin. Koncepti i Hapësirës Ekonomike Rajonale do të japë shtysë të fortë për zhvillimin ekonomik të të gjithë rajonit, dhe do të përgatisë Ballkanin Perëndimor për tregun e brendshëm”, tha Hahn.
Gjithashtu komisioneri Hahn ka shprehur mendimin se propozimi gjerman Berlin Plus, për fonde shtesë për investime infrastrukturore ndërnacionale, është i mirë por financime të tilla nuk mund të kenë efekt pa reforma strukturore.
Proçesi i Berlinit është sipas Hahn pjesë e rrugëtimit të çdo vendi në rajon drejt BE-së, duke i dhënë kështu nismës gjermane karakterin e një politike zyrtare të BE-së drejt rajonit tonë.
Ndër të tjera Hahn shtoi se Anëtarësimi, është çështje kriteresh të qarta dhe përmbushja e tyre nga vendet aspirante është kyçe për vetë kredibilitetin e procesit të zgjerimit të mëtejshëm të BE-së. Çka në thelb duket sikur i jep të drejtë zyrtarit amerikan, i cili thjesht ishte më i hapur.
Redaksia online
D.M/Shqiptarja.com