Hapja e negociatave sipas Hahn do të sjellë më shumë investime të huaja për të nxitur ekonominë, ndërsa Shqipëria duhet të vazhdojë me zbatimin e reformës në Drejtësi.
Komisioneri e cilëson rekomandimin si një hap të madh të Shqipërisë në rrugën drejt BE.
Shqipëria sot hodhi një hap historik në rrugën për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
Komisioni Europian i rekomandon Këshillit të Europës që të hapë negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë në familjen europiane.
Komisioneri Hahn propozoi hapjen e negociatave, ndërsa mbetet për t’u zbatuar ligji i Vetting-ut e Reforma në Drejtësi.
Deklarata e plotë e Hahn drejtuar shqiptarëve
"Sot Komisioni Europian miratoi raportin e tij të vitit 2016 për Shqipërinë.
Vendi juaj ka bërë një progres vendimtar në programin e reformave duke pasur parasysh, KE rekomandon hapjen e negociatave me Shqipërinë në varësi të arritjeve të rezultateve të prekshme dhe të besueshme në zbatimin e reformës së drejtësisë, sikur përcaktohet në komunikimin e komisionit.
Nisja e negociatave të anëtarësimit do të hapë një kapitull të ri në marrëdhëniet tona. Kjo nuk do të thotë vetëm modernizim i mëtjeshëm i shtetit, por gjithashtu edhe që të ndihmohet Shqipëria, të vendosë standardet më të larta në fusha si mjedisi, shëndetësia, siguria ushqimore apo punësimi.
Kjo do të thotë gjithashtu më shumë investime të huaja për të nxitur ekonominë dhe për të krijuar vende pune më të shumta dhe më të mira.
Por udha e anëtarësimit nuk është një rrugë me një drejtim. Autoritetet shqiptare do të punojnë fort dhe do të vazhdojnë procesin e reformave.
Shqipëria përcaktoi drejtimin e duhur me nisjen e një reformë të plotë dhe tërësore të drejtësisë.
Tani reforma duhet zbatuar në mënyrë që të gjithë qytetarët dhe bizneset të kenë besim në një gjyqësor efikas, të pavarur dhe të paanshëm.
Autoritetet shqiptare duhet t'i vazhdojnë përpjekjet për 5 prioritetet, sidomos luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe drogës.
Tani sfida për Shqipërinë është që të garantojë zbatimin dhe qendrueshmërinë e reformave.
Rekomandimi i sotëm është një hap i madh i Shqipërisë në rrugën drejt BE.
KE do të vazhdojë që t'ju mbështesë në këtë udhë ambicioze reformash" thuhet në video- mesazhin e komisionerit Hahn drejtuar shqiptarëve.
dy.b/shqiptarja.com