Ai tha se liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës nuk ka asnjë lidhje me migrimin ilegal dhe theksoi se procesi i vlerësimeve të përmbushjes së kritereve për liberalizim do të vazhdojë.
Hahn tha se rifillimi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është me rëndësi të veçantë, sepse kjo do të ndihmojë edhe më shumë procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet tyre.
Në takim u diskutua gjithashtu edhe për perspektivën evropiane të Kosovës, përmbylljen e procesit të liberalizimit të vizave dhe të MSA-së për Kosovën, migrimin ilegal të qytetarëve të vendit, si dhe procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Republikën e Serbisë, përmes dialogut që po zhvillohet në Bruksel.
Presidentja Jahjaga theksoi se institucionet e Kosovës janë të përkushtuara për përmbushjen e reformave në axhendën evropiane dhe të përshpejtimit të procesit të integrimit, por tha se Kosova ka nevojë për një përkrahje më të madhe nga BE-ja, posaçërisht në përmbylljen e procesit të MSA-së dhe të liberalizimit të vizave për qytetarët e vendit.
Ajo tha se Kosova duhet të trajtohet nga BE-ja në mënyrë të ngjashme sikurse edhe të gjitha shtetet e tjera, në kuadër të perspektivës evropiane për rajonin. Presidentja Jahjaga theksoi se prioritet i punës së institucioneve të vendit është vendosja e sundimit të ligjit dhe rendit, zhvillimi ekonomik dhe ulja e shkallës së papunësisë, që do të ndalojë edhe migrimin ilegal, një fenomen që ka prekur Kosovën në muajt e fundit.
Duke folur për dialogun me Republikën e Serbisë, Presidentja Jahjaga theksoi se është me rëndësi rifillimi i tij dhe arritja e marrëveshjes për çështje të drejtësisë, bazuar në ligjet e Republikës së Kosovës, por tha se dialogu duhet të jetë transparent për qytetarët dhe se të gjitha marrëveshjet e arritura duhet të përmbushen plotësisht.