Përmes një postimi në rrjetet sociale, Hahn ka bërë të ditur se do të ushtrojë presion ndaj palëve, për të tejkaluar sa më parë mosmarrëveshjet që kanë rreth shumë çështjeve.
Fillimisht, ai ka realizuar takime të ndara me kryeministrin Nikola Gruevski, udhëheqësin e BDI-së Ali Ahmeti, kreun e PDSH-së Menduh Thaçi, si dhe drejtuesin e LSDM-së Zoran Zaev, për të dëgjuar qëndrimet e tyre lidhur me ngecjen e negociatave.
Më pas, në një takim të përbashkët, Hahn ka folur me palët e përfshira në negociata për zgjidhjen e problemeve, lidhur me emërimin e plotë të stafit të prokurores speciale, Katica Janeva, e cila duhet të hetojë skandalin e përgjimeve.
Po ashtu, komisionari europian ka këmbëngulur që palët të respektojnë afatet, që kanë të bëjnë me sjelljen e Kodit të ri Zgjedhor, si dhe me emërimin e ministrave dhe zëvendësministrave të rinj.
Sipas marrëveshjes për zgjidhjen e krizës, në qeverinë kalimtare, e cila do të organizojë zgjedhjet e parakohshme parlamentare vitin e ardhshëm, Ministria e Brendshme dhe ajo e Punës dhe Politikës Sociale do t’i takojnë opozitës maqedonase, pas 20 tetorit.
Bisedimet pritet të zgjasin deri në orët e para të mëngjesit të ditës së martë. Nëse arrihet marrëveshje mes palëve, Parlamenti do të nisë të martën procedurat për zgjedhjen e ministrave dhe zëvendësministrave të rinj, sjelljen e ligjeve që kanë të bëjnë me rregulloren zgjedhore dhe formimin e komisionit për përgjimet./ Top Channel