Hajdari e lumtur: Ditë historike, çështja e ndryshimit të sistemit u fut në shinat e duhura! Diskutimet vijojnë për rishikimet Kushtetuese (VIDEO)

Pas përfundimit të mbledhjes së Komisionit të Ligjeve dhe Legjislacionit, Rudina Hajdari ka dalë e buzëqeshur duke thënë se më në fund kërkesat e opozitës parlamentare dhe shoqërisë civile për të futur në diskutim ndryshimin e sistemit dhe listat e hapura u morën parasysh. Hajdari tha se kjo është një ditë historike për vendin pasi po rishikohet Kushtetuta për një çështje të rëndësishme, ajo e ndryshimit të sistemit zgjedhor ku do i rikthejë parlamentit sovranitetin e duhur dhe shqiptarët do të mund të vendosin vetë për fatet e tyre.

Hajdari tha se ky është një proces që kërkon kohë pasi po flitet për rishikimin e Kushtetutës, por u shpreh besimplotë se kjo çështje dhe ky proces ka hyrë në shinat e duhura.

 "Kjo çështje ka një mbështetje shumë të gjerë për t'i rikthyer parlamentit sovranitetin e duhur. Do të ndjekim çdo rrugë institucionale dhe ligjore për ta çuar këtë betejë deri në fund. Bashkë me kolegët e opozitës parlamentare jemi duke diskutuar me anëtarët e Komisionit të Ligjeve dhe Këshillin e Legjislacionit për të diskutuar ndryshimin e sistemit dhe hapjen e listave. Në zgjedhjet e ardhshme duhet të shkojmë me lista të hapura. Ka ardhur koha të shtyjmë mazhorancën të plotësojë këtë kërkesë të opozitës parlamentare dhe shoqërisë civile.

Për mua kjo kërkesë mori udhën e duhur duke e negociuar për pikat pasi jo në çdo pikë jemi dakord si grup demokrat, por e rëndësishme është përfshirja e ndryshimit të sistemit zgjedhor. E gjithë kjo është një proces dhe jo një gjë e kollajshme dhe për mua është e rëndësishme që të gjithë dhe ekspertët të japin opinionin e tyre. Do të jem pjesë e procesit, por e rëndësishme është që ja arritëm kësaj ditë dhe rishikimi i Kushtetutës është një moment historik për vendin, pasi këtë herë po bëhet për një gjë thelbësore për reformën zgjedhore dhe për këtë duhet të jemi të gjithë të gëzuar.

E gjitha kjo është proces dhe nuk është një gjë që ndodh në mënyrë të shpejtë sepse po flasim për rishikimin e kushtetutës. në gjithë këtë proces duhet të ulim njerëzit e duhur profesional e të kualifikuar dhe duhet të jemi tepër të kujdesshëm, mazhoranca ka premtuar që do ta bëjë këtë proces me dy shkallë, pavarësisht këshillit politik ku u arrit një marrëveshje. I bëra kërkesë opozitës jashtëparlamentare për ta mbështetur këtë nisëm, por u surprizova kur nuk arriti dot të na mbështeste.

Gjatë kësaj periudhe vendosëm ta bënim me dy shkallë, unë e përmbusha rolin tim në këshillin politik duke rikthyer PD dhe LSI në zgjedhjet e ardhshme, por nuk hoqa dorë nga ndryshimi i sistemit.  E kemi futur këtë proces në shinat e duhura", tha Hajdari.


Lajmi kryesor:

Më 30 korrik Kuvendi vendos për ndryshimin e sistemit zgjedhor, Hajdari: Ditë historike, çështja u fut në shinat e duhura


I.K/B.K./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja