Persona të panjohur kanë hakeruar transmetimet satelitore të televizionit shtetëror iranian,duke transmetuar aty disa pamje në mbështetje të Princit të Kurorës në mërgim Reza Pahlavi. Ata i kanë bërë gjithashtu thirrje forcave të sigurisë që të mos “i drejtojnë armët ndaj popullit”.

Pamjet e hakerëve u transmetuan në disa kanale satelitore të kontrolluara nga Islamic Republic of Iran Broadcasting, IRIB, transmetuesi shtetëror që ka monopolin e televizioneve dhe radiove në vend. Videoja përfshinte dy mesazhe të Pahlavit dhe forcave të rendit, e në grafikën shoqëruese shkruhej: “Ky është një mesazh për ushtrinë dhe forcat e sigurisë”. “Mos i drejtoni armët kundër popullit.Bashkohuni me kombin për lirinë e Iranit”!

Princi nga ana e tij pati përcjellë më herët një mesazh për ushtrinë, duke nënvizuar se: Ju jeni ushtria kombëtare e Iranit, dhe jo ushtria e Republikës Islamike. Koha juaj po mbaron, bashkohuni popullin sa më shpejt të jetë e mundur!

Sulmi kibernetik vjen në kohën kur bilanci i të vrarëve në protestave ka mbërritur në gati 4.000, edhe pse organizatat e drejtave të njeriut mendojnë se shifrat reale mund të jenë shumë më të larta se kaq.

Megjithatë ky nuk është i pari sulm kibernetik që shënon ndërprerjen e transmetimeve iraniane. Në vitin 1986, The Washington Post raportoi se CIA u furnizoi aleatëve të princit "një transmetues televiziv në miniaturë për një transmetim klandestin 11-minutësh" në Iran nga Pahlavi që piratoi sinjalin e dy stacioneve në Republikën Islamike.

Në vitin 2022, shumë kanale transmetuan pamje që tregonin udhëheqës nga grupi opozitar në mërgim Mujahedeen-e-Khalq dhe një grafik që bënte thirrje për vdekjen e Udhëheqësit Suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei.