TIRANE – Hakmarrja mes grupeve rivale duket se është motivi që i mori mbrëmë jetën në Tiranë Arlind Fugës, 34 vjeç, baba i dy fëmijëve. Fuga u ekzekutua mbrëmë rreth orës 20:55 në rrugën “Him Kolli”, pak pasi kishte pirë një kafe me të vëllain, pranë një bilardoje.

Tregtar i materialeve të gipsit dhe besimtar mysliman, ai njihet si shok i ngushtë i Emiliano Shullazit, një personazh ky i fundit i arrestuar disa herë për ngjarje të ndryshme e që aktualisht ndodhet në burg për “armëmbajtje pa leje”. Nisur nga rrethanat dhe lidhjet e miqësisë së tij me Shullazin, fakti që ai ka qenë dëshmitar dhe emri i tij përmendet në shumë deklarime që pas vitit 2006, i bën hetuesit të mendojnë se ngjarja mund të jetë larje hesapesh përmes një atentati të mirëfilltë.

Policia ka shoqëruar në Komisariat rreth 15 persona për t’i marrë në pyetje, miqtë e 34-vjeçarit Fuga, si dhe persona të tjerë që ndodheshin në bilardo në momentin kur ndodhi ngjarja. “Pashë nga ballkoni vrasësin të largohej drejt rrugës së Kavajës”, ka dëshmuar një grua për Policinë, pa mundur të japë detaje të tjera rreth identitetit të vrasësit.

Viktima ëshë dërguar urgjentisht në spital por ka ndërruar jetë para se të mbërrinte në duart e mjekëve.

Burime policore tregojnë se Fuga dhe Shullazi “ishin shokë për kokë. Ishte ndoshta njeriu që Emiliano Shullazi i besonte më shumë nga i gjithë rrethi i tij shoqëror”. Dyshohet se pikërisht kjo miqësi mund të ketë lidhje me vrasjen e Fugës, si një mënyrë për t’u hakmarrë ndaj Shullazit i cili aktualisht është në burg.

(im/shqiptarja.com)