TIRANE- Ish-ministri i Drejtësisë Eduard Halimi e ka cilësuar arratisjen e 7 të burgosurve nga burgu i sigurisë së lartë në Drenovë të Korçës një ditë më parë, një ngjarje të rëndë për sigurinë dhe rendin në vend. Sipas Halimit, ministri i Drejtësisë dhe ministri i Brendshëm ishin informuar më parë nga ish-drejtuesit e lartë të policisë dhe burgjeve lidhur me këtë ngjarje, por “nuk ishte marrë asnjë masë”. Halimi tha se "raporti i ish-drejtuesve nuk u mor në konsideratë, por u flak, ashtu si punonjësit profesionistë".

“Ngjarja e djeshme është e rëndë për shtetin ligjor dhe sigurinë publike. Kurrë nga burgu i sigurisë së lartë i ndërtuar nga BE s'ka ndodhur më parë, ndërsa dje u larguan jo një por 7 të dënuar me burgim të përjetshëm. Rendi dhe sigurua publike po bien poshtë në Shqipëri. Ministrit të Brendshëm, ministrit të Drejtësisë, drejtorisë së Shërbimit të Kontrollit të Burgjeve, pak ditë më parë i kanë paraqitur planin e masave duke i kërkuar marrjen e masave në mënyrë që kjo ngjarje të mos ndodhte. Që siguria e burgjeve të ishte e ligjshme dhe siguria e qytetarëve të ishte e plotë. Por ministrat nuk kryen minimalisht detyrën e tyre. Policia bashkë me ta heshti. Rezultati është armë të futura në burg, dhe arratisje spektakolare e 7 të burgosurve me të përjetshëm nga një burg i sigurisë së lartë. Ky raport i ish- drejtuesve të policisë së lartë të shtetit, nuk është marrë në konsideratë, por është flakur siç janë flakur gjithë profesionistët e policisë dhe burgjeve. Ministrat fshehën përgjegjësinë e tyre për arratisjen nga burgu të 7 të burgosurve, duke lëshuar akuza për paraardhësit. Kjo nuk i përjashton ata nga përgjegjësia për këtë ngjarje”, tha Halimi.

Duke akuzuar qeverinë Rama-Meta për shkarkime nga detyra të profesionistëve dhe emërime të miliantëve partiake, Halimi tha se kjo situatë “po i hap rrugë lulëzimit të krimit”.

“Dyshja Rama-Meta janë lëshuar të babëzitur në ndarjen e tortës së pushtetit, duke i hapur rrugë lulëzimit të krimit me shkarkimet masive të profesionistëve dhe zëvendësimit të tyre me militantë. Nuk ka ndodhur kurrë ndonjëherë më parë që të futen armë në qelitë tona nga jashtë. Policët brenda qelive nuk mbajnë armë. Armët kanë kaluar në hundën e policisë dhe drejtuesve të policisë në një rrugë të pastër rryshfeti. Të futen armë në një burg të sigurisë së lartë të ndërtuar me fondet e BE, është një rrëzim i sigurisë së shtetit. Në 8 vitet e fundit janë ndërtuar 11 burgje të reja, përfshi këtu edhe burgun e Korçës me standardet me të larat të sigurisë, siç tregohet edhe në raportin e BE. Ne dorëzuam një sistem burgjesh më të sigurtin në rajon, ku për 8 vite nuk pati asnjë arratisje nga këto burgje të ndërtuara me fondet e BE”, u shpreh Halimi.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)