Halimi:Humbja erdhi si bombë, stop
sulmeve, tani duhet të bashkohemi

Halimi:Humbja erdhi si bombë, stop<br />sulmeve, tani duhet të bashkohemi
Deputeti i PD, Eduard Halimi ka reaguar pas humbjes së zgjedhjeve me rezultat të thellë nga opozita  dhe përplasjeve brenda së djathtës duke kërkuar që të ndalen sulmet.

“Humbja në betejë është pa dyshim më e vështira për t’u përjetuar, përfshi pastaj dhe kur ajo është katastrofike apo vjen si bombë dhe efektet e para janë tronditja, mjegulla, mungesa e reagimit racional” thotë ai.

Eduard Halimi thotë se secili të marrë përgjegjësinë bashkë me Lulzim Bashën për atë që ndodhi. Sipas tij, dita e votimit është ditë gjykimi për Lulzim Bashën nga ata gjykatës që nuk kanë nevojë as për veting.

Sulmet brenda nesh i fusin thikën në shpinë PD-së. Sulmi mund të jetë arma më e mirë e mbrojtjes ndaj kundërshtarit, por lë t’i lëmë këto armë për armiqtë tanë dhe në asnjë rast brenda vendit.
 
Kandidatëve për kryetarë, atyre që seriozisht duan të jenë kryetarë partie, do doja t’u kërkoja të ndalnin anatemimet ndaj Grupit Parlamentar te ri.
 
Nëse vërtet do të zgjidheshin kryetarë, si do ta bashkonin partinë, duke sharë me sa mundin Grupin Parlamentar që prodhoi lista Basha
?!” deklaron Halimi.
 
Reagimi i plotë i Eduard Halimit
Të dashur miq, anëtarë të Grupit Parlamentar në detyrë, anëtarë të Grupit të ri Parlamentar. Humbja në betejë është pa dyshim më e vështira për t’u përjetuar, përfshi pastaj dhe kur ajo është katastrofike apo vjen si bombë dhe efektet e para janë tronditja, mjegulla, mungesa e reagimit racional.
 
Duhet pak kohë që të largohet të paktën mjegulla për të parë jo vetëm dëmet, por dhe çfarë ka ndodhur. Nuk u përfshiva në debatet e para mes mjegullës dhe tronditjes për dy arsye: E para, sepse shumë nga ata që janë kundër Bashës dhe kërkonin largimin e tij brenda 1 minute, i kam kolegë, miq e shokë që kemi ndarë në këto vite e muaj mendime të përbashkëta apo të ndara në atë që është bërë mirë apo është bërë jo mirë, apo është bërë keq.
 
E dyta, përveç bandave dhe blerjes së votave nga pushteti të fiksuara me foto e video, paaftësisë sonë për të nxjerrë demokratët në zgjedhje, e vështirë që të bësh analiza dhe t’i hedhësh gurët mbi kokë atij që mendon se është fajtor në ato pak ditë, qoftë Lulit, qoftë secilit prej nesh, përfshi dhe veten time. Por kjo nuk është hera e parë që humbasim.
 
Katër vjet më parë, unë nuk kam qenë plotësisht dakord me skenarin e Sali Berishës. Ai mori përsipër të gjithë përgjegjësinë duke mbrojtur nga përgjegjësia gjithë të tjerët që drejtonim qarqet në 2013, përfshi dhe mua që drejtoja Durrësin, ku humbëm një deputet. Unë gjykoj se Berisha bëri këtë veprim për të mbrojtur nga përgjegjësia dhe gjuetia shkaktarët, pasi kjo do ta përçante opozitën.
 
A doli më mirë a më keq, këtë e gjykojnë demokratët, por dhe të gjithë ne sot pas 4 vjetësh. Basha nuk ndoqi skenarin e 2013 plotësisht. Dhe besoj se është më mirë që secili të marrë përgjegjësinë bashkë me Lulzim Bashën për atë që ndodhi. Tani ai do jetë përballë sovranit, të çdo anëtari të thjeshtë, të cilët do jenë gjykatësit që do vlerësojnë vendimet e forta të Lulzim Bashës në 4 vjet opozitë.
 
Dita e votimit është ditë gjykimi për Lulzim Bashën nga ata gjykatës që nuk kanë nevojë as për veting, sepse nuk kanë marrë një kokërr rrushi nga vreshti i pushtetit. Dhe mua më vjen mirë që vendimi do jetë i tyre. Unë do doja shumë që të kishte në garë edhe kandidatë të tjerë, miq që i vlerësoj. Do doja të kishte më shumë kandidatë përpara sovranit për kryetar.
 
Më shumë kandidatë edhe nesër për nënkryetarë, sekretarë e kështu me radhë. Sepse është e drejta e sovranit të vendosë. Ai nuk gabon kurrë. Ai duhet të vendosë se cili e bën më të unifikuar, më të bashkuar Partinë. Dhe ka vizion për të ardhmen. Por sot janë kandidatët për kryetar Partie përballë sovranit. Ata duhet të marrin gjykimin e tyre për atë që kanë bërë mirë, nuk kanë bërë mirë, apo nuk e kanë bërë fare.
 
Dhe pa dyshim që si Basha dhe kandidatët e tjerë përveç llogaridhënies, duhet të japin alternativa sesi e bëjnë më të fortë PD. Nuk ka as më të voglin dyshim se PD mund të bëhet më e fortë vetëm nëse bashkohet e gjitha, në një. A e kanë këtë qëllim, pra bashkimin, të gjithë aspirantët për kryetar Partie? Do doja shumë që ta kishin. Ka një realitet i mirë apo i keq, por që është realitet sot: grupi i ri parlamentar i PD i dalë nga Lista Basha.
 
Nuk dua të komentoj asgjë nga lista, jo vetëm se jam vetë në atë listë, edhe pse do të preferoja ta dija disa ditë ose orë më parë, siç ka ndodhur normalisht në këto 17 vjet që jam në PD. Megjithatë, është fakt sot se përgjegjësinë e sinqertë për listën e mori vetë Lulzim Basha. Por, ama, kjo listë ka krijuar një Grup Parlamentar që do të bëjë betejën në katër vitet e ardhshme të kryetarit të ri të PD-së, që do dalë nga zgjedhjet e 22 korrikut.
 
Beteja do të jetë në Parlament nga ky grup dhe jashtë nga ky grup bashkë me strukturën e PD-së. Por nëse një kandidat për kryetar, apo dikush i nxitur fort prej tij, e sulmon me kaq mllef, e urrejtje Grupin e PD-së dalë nga lista, mendoni se grupi do të dojë të bashkohet me kryetarin e ri që i anatemon, përdhos, përbalt, pështyn? Nuk besoj se kjo sjellje e një kandidati që kërkon të bëhet kryetar është racionale dhe shkon drejt bashkimit të PD-së.
 
Me këtë nuk dua të mbroj cilësitë e deputetëve të rinj të PD-së dhe as të ul atë të deputetëve që po u mbaron mandati. Aspak. Kam shumë, shumë respekt për gjithsecilin, për aq sa kanë bërë. Mund të mos isha as unë në atë listë dhe shumë prej tyre që nuk janë, e dinë këtë. Por nuk besoj se i bëjnë mirë PD-së as sulmet ndaj Grupit Parlamentar apo kryetarit të PD-së edhe si pjesë e atij Grupi, dhe as sulmet e një pjese të deputetëve të rinj ndaj kritikëve.
 
Unë e kuptoj se heshtja ndaj sulmeve, nganjëherë deri në neveri, duke kaluar edhe te familjarët, është shumë e vështirë. Sepse heshtja mund të kuptohet si një shenjë dobësie. Sulmi ndaj familjes nuk është as dinjitoz e as trimëri. I lejohet armikut politik dhe duhet të marrë përgjigjen dhembë për dhëmbë, por neve jo. Heshtja e Lulzim Bashës nuk duhet marrë si dobësi, por si një përgjegjësi e madhe për të mos iu përgjigjur provokimit, për ta mbajtur partinë e Bashkuar.
 
Ndaj jam i bindur se sulmet e të dyja palëve, atyre që janë jashtë Parlamentit që sulmojnë ata që janë brenda dhe atyre që janë brenda dhe sulmojnë ata jashtë, nuk i bëjnë mirë partisë. Nuk i kanë bërë as para një viti, as para 2 vjetësh, por sot e dëmtojnë edhe më shumë. U kam kërkuar dhe u kërkoj edhe sot, të paktën atyre që janë brenda Grupit të ri të heshtin dhe të mos sulmojnë brenda partisë anëtarët e Grupit Parlamentar në detyrë, nënkryetar i të cilit pata mundësinë të isha në këto vjet.
 
Sulmet brenda nesh i fusin thikën në shpinë PD-së. Sulmi mund të jetë arma më e mirë e mbrojtjes ndaj kundërshtarit, por lë t’i lëmë këto armë për armiqtë tanë dhe në asnjë rast brenda vendit. Kandidatëve për kryetarë, atyre që seriozisht duan të jenë kryetarë partie, do doja t’u kërkoja të ndalnin anatemimet ndaj Grupit Parlamentar te ri. Nëse vërtet do të zgjidheshin kryetarë, si do ta bashkonin partinë, duke sharë me sa mundin Grupin Parlamentar që prodhoi lista Basha?!
 
Një kandidat për kryetar partie, që kërkon të zgjidhet më 22 korrik dhe ka në platformë të vet përbaltjen e Grupit që do bëjë betejën kryesore në 4 vitet e ardhshme, ose është i mjegullt në arsyetim, jologjik e racional ose, në rastin më të keq, as që ka ndërmend të bëhet kryetar, por thjesht merr gurë dhe gjuan. E gjitha sa shkrova më sipër, për të mos ngjallur asnjë keqinterpretim, ka një qëllim të vetëm: të përpiqemi të mbajmë të bashkuar partinë, të realizojmë një proces zgjedhor normal në PD, pa baltë, pa mallkime, t’i japim mundësinë sovranit (anëtarësisë demokrate) që të gjykojë qartë për ato që kandidatët kanë bërë mirë, jo mirë, keq apo nuk kanë bërë fare.
 
Dhe, po ashtu, të gjykojnë se kush e bën më të bashkuar dhe më të fortë PD-në. Çdo sjellje tjetër do të kishte pasoja, do kishte përçarje, përåarje që do vijonin edhe në vijimësinë e Grupit Parlamentar dhe betejën opozitare. Ndaj thirrja ime është bashkimi, uniteti dhe jo përçarja. Të fitojë ai që e bën më unike partinë, ai që ka alternativën më të mirë. Ju faleminderit shumë të gjithëve!

 
dy.b/shqiptarja.com 

 

  • Sondazhi i ditës:

    Ku po i kaloni pushimet e verës?



×

Lajmi i fundit

Ministri Gonxhja reagon për zjarrin në Finiq: Asnjë prej monumenteve në Parkun Arkeologjik nuk është prekur

Ministri Gonxhja reagon për zjarrin në Finiq: Asnjë prej monumenteve në Parkun Arkeologjik nuk është prekur