Ai ka thënë se reforma në drejtësi është jetike dhe se duhet të bëjë të mundur largimin e gjyqtarëve e prokurorëve të korruptuar, por ta mbajë sistemin e drejtësisë të pavarur.
Halimi ka shtuar se do të respektohet një më një drafti me rekomandimet e Komisionit të Venecias.
“Diskutuam bashkë me anëtarët e komisionit të posaçëm të Reformës në Drejtësi, anëtarë të opozitës bashkë me ekspertët, për qendrimin e çeliktë që ka opozita për një reformë në drejtësi, për një proces konsensual bazuar në standardet e vendosura nga Komisioni i Venecias në 21 Dhjetor të vitit të kaluar. Për Partinë Demokratike, reforma në drejtësi është jetike. Një reformë në drejtësi e cila duhet të bëjë të mundur largimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar por ta mbajë sistemin e drejtësisë të pavarur që do të thotë të implementohet një më një secili nga 138 rekomandimet e dhëna nga Komisioni i Venecias në raportin paraprak të 21 Dhjetorit” ka thënë ai.
Përveç të tjerash ai ka akuzuar kryeministrin Rama si person në konflikt interesi, pasi, sipas tij, ai përmes kapjes së sistemit të drejtësisë synon që të shpëtojë personat e inkriminuar me të cilët fitoi zgjedhjet.
“Çdo devijim, çdo fshehje nga këto rekomandime sigurisht që kanë qëllim vetëm të kapin dhe çimentimin e kësaj kapje politike të drejtësisë të cilën Edi Rama është në konflik të hapur interesi pasi do të kapë drejtësinë për të mbrojtur kriminelët me të cilët fitoi zgjedhjet dhe me të cilët qeveris. Ky është qëllimi i vetëm që ai ka në të gjithë këtë proces. Ndaj dhe Partia Demokratike do të vazhdojë edhe nesër në arritjen e një drafti të reformës në drejtësi që në përmbajtjen e vetë ky draft të pasqyrojë një më një, të gjitah rekomandimet e Komisionit të Venecias” ka vijuar Halimi.
Opozita, tha ai, gjatë gjithë proçesit ka qenë e hapur e me qëllim të mirë dhe ka mbështetur çdo paragraf, kapitull që ka të bëjë me draftin lidhur me luftën ndaj korrupsionit në sistem. Asnjë qëndrim të ndryshëm nga ata të ndërkombëtarëve nuk do e mbështesim.
Çështjet me të cilën ndahemi, përfundoi Halimi, janë ato që ne deklaruam dje me ekspertët, dhe ka të bëjë me kapjen e drejtësisë, pasi ne duam Venecian që thotë se votimi me 3/5 çimeton kapjen politike. Cdo draft që do të shmanget nga Komisioni i Venecias do të nxjerrë qëllimin e mirë ose të keq.
"Opozita gjatë gjithë këtij procesi ka qënë e hapur dhe me qëllim të mirë dhe ka mbështetur çdo paragraf dhe kapitull që ka të bëjë me draftin lidhur me luftën ndaj korrupsionit në sistemin e drejtësisë. Nuk kemi pasur asnjë lloj devijimi dhe asnjë lloj qendrimi të ndryshëm nga ajo që kanë pasur partnerët ndërkombëtarë. Kemi mbrojtur dhe kemi dhënë alternativat tona me qëllimin e mirë përsëri gjatë gjithë këtij procesi për të luftuar korporativizmin, mosndërshkimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve Brenda njëri tjetrit. Por ama kemi kërkuar sërish që ky proces dhe kjo luftë ndaj korrupsionit të mos përdoret si alibi për të kapur sistemin e drejtësisë. Opozita është më e interesuar se kurrë që sistemi i drejtësisë të jetë i pakorruptuar dhe sistemi i drejtësisë të mos jetë i kapur. Ata që janë në konflik interesi i tremben dhe dua në mënyrë të padiskutueshme të bëjnë kapjen e sistemit të drejtësisë në mënyrë që ti shërbejë njerëzve të krimit me të cilët ai i ka blerë votat, ka fituar zgjedhjet e vitit të kaluar dhe qeveris bashkë me krimin. Ky është qendrimi i opozitës që do të jetë edhe në ditët në vijim".
"Drejtësia", Mediu: Opozita nesër në Komision, duhet konsensus
Kryetari i Partisë Republikane i cili ishte në takimin e thirrur nga Partia Demokratike me ekspertët për çështjen e Reformës në drejtësi, ka deklaruar se opozita nesër do të jetë e pranishme në Komisionin e Posaçëm që do të mblidhet në Parlament si dhe do paraqesë shqetësimet dhe opinionet e saj për këtë reformë.
Fatmir Mediu tha se opozita është kundër kapjes politikisht të drejtësisë, ndërkohë që ajo do të respektojë pikë për pikë rekomandimet e Komisionit të Venecias.
“Ne do të kemi gjykimet tona në Komisionin e nesërm në Parlament.Duke dëgjuar njëri tjetrin do arrijmë në një draft. Opozita ka shprehur shqetësimet, gjykimet dhe ne respektojmë pikë për pikë rekomandimet e Komisionit të Venecias.Nesër në komision do paraqesim mendimet tona” ka deklaruar Fatmir Mediu.
Redaksia online
(s.m/shqiptarja.com)