IZRAEL - Forcat e sigurisë izraelite vranë një person të armatosur të Hamasit në valën e dytë të sulmeve ajrore në Gaza. Ndërhyrja vjen si përgjigje ndaj lëshimit të raketave një ditë më parë nga Gaza drejt qyteteve jugore izraelite ku mbetën tre të plagosur.

Zyrtarisht pala izraelite konfirmoi se drejt territorit të saj janë lëshuar rreth 65 raketa në tetë orët e fundit. Dy shpërthime janë dëgjuar në Gaza edhe mëngjesin e së mërkurës ndërsa një ditë më parë një ushtar izraelit u plagos nga një bombë në zonën kufitare dhe dy militantë humbën jetën nga sulmi ajror.

Korrespodenti i rrjetit BBC në Gaza thotë se lëvizja Hamas është nën presionin publik për të rezistuar me forcë ndaj Izraelit, veçanërisht pas vrasjes së civilëve. Dhuna vjen një ditë pasi emiri i Katarit u bë i pari kryetar i një shteti të huaj që viziton Gazan që prej ardhjes në fuqi të Hamasit në vitin 2007.

(dm/Gre.M/Shqiptarja.com)