Hapësira kulturore HangArt-Kinostudio çel këtë të mërkurë, sezonin e ri të dedikuar skenës së pavarur, performancave bashkëkohore dhe ekspozitave artistike. Lajmin e ka bërë me dije ministri i Turizmit, Kulturës dhe i Sportit, Blendi Gonxhja.

Në një postim në rrjetet sociale, ai shkruan se sezoni inaugurohet me performancën “No-w-Here” të artistit Blenard Azizaj, duke shënuar nisjen e një programi të fokusuar te energjia e skenës alternative, artistët e rinj dhe format eksperimentale të krijimtarisë bashkëkohore.

“Nis jeta artistike në Parkun e Artit, performanca live dhe një hapësirë për të rinj krijues e premtues. Me performancën “No-w-Here” të Blenard Azizaj, HangArt hap një sezon të ri artistik kushtuar energjisë së skenës alternative, artistëve të rinj dhe formave eksperimentale të krijimit bashkëkohor.

Një hapësirë që mirëpret grupet joformale, performuesit që vijnë nga underground-i urban, nga komunitetet kreative, nga margjinat që po transformohen sot në qendrën më dinamike të kulturës së re shqiptare.

“No-w-Here”, me regji dhe koreografi nga Blenard Azizaj, eksploron përmes trupit dhe tingullit raportin mes pranisë, identitetit dhe hapësirës, duke sjellë një eksperiencë intime dhe intensive për publikun”, shkruan Gonxhja.

Theksojmë se ky event do të zhvillohet në datat 20 dhe 21 maj në HangArt, Kinostudio, Tiranë, në orën 19:00.