
Nicolas Maduro dhe bashkëshortja e tij duke u transferuar drejt Gjykatës
Presidenti i rrëzuar i Venezuelës, Nicolas Maduro, pritet të dalë sot për herë të parë para një gjykate federale në Nju Jork, pas arrestimit të tij në një operacion amerikan, shkruan CNN.
Sipas analistit të lartë ligjor të CNN, Elie Honig, seanca pritet të ndjekë disa hapa procedurale standarde.
Fillimisht, prokuroria do të lexojë zyrtarisht akuzat, duke e informuar Maduron për veprat penale për të cilat akuzohet. Në këtë fazë, ai do të ketë mundësinë të deklarohet fajtor ose i pafajshëm.
Më pas, gjykatësi do të verifikojë që Maduron i është caktuar një avokat mbrojtës, duke siguruar që të drejtat e tij procedurale janë respektuar.
Një tjetër çështje që pritet të shqyrtohet është lirimi me kusht. Megjithatë, sipas vlerësimeve ligjore, ka pak gjasa që gjykata të miratojë një masë të tillë, për shkak të natyrës së rëndë të akuzave dhe profilit të të pandehurit.
Në fund të seancës, gjykatësi pritet të përcaktojë hapat e mëtejshëm të procesit, përfshirë afatet kohore për paraqitjen e mocioneve nga palët dhe, nëse është e mundur, një datë paraprake për nisjen e gjykimit.
Seanca e sotme konsiderohet një hap kyç në një proces që ka tërhequr vëmendje të madhe ndërkombëtare dhe pritet të ketë pasoja të rëndësishme ligjore dhe politike.
Lajmi kryesor:
Maduro del para gjykatës amerikane: Jam i pafajshëm! SHBA në Këshillin e Sigurimit në OKB: Nuk ishte pushtim në Venezuelë, arrestuam një terrorist











