Hapen shkollat në Francë, pavarësisht rritjes së rasteve me COVID! Ministri i Shëndetësisë: Nuk mund të mbajmë peng jetën shoqërore të fëmijëve

Hapen shkollat në Francë, pavarësisht rritjes së rasteve me COVID! Ministri i Shëndetësisë: Nuk mund të mbajmë peng jetën shoqërore të fëmijëve

Foto ilustruese

Banorët e Parisit u kthyen sot në punë ndërsa fëmijët e tyre në shkolla pas pushimit të festave, ndërsa infeksionet me COVID-19 vazhdojnë të rriten në Francë për shkak të variantit Omicron. Pavarësisht rritjes së numrit të infeksioneve me COVID-19, qeveria franceze ka vendosur të mbajë të hapura shkollat, duke thënë se kjo është e rëndësishme për fëmijët.

Qeveria franceze javën e kaluar u bëri thirrje punëtorëve dhe kompanive që të punojnë nga shtëpia të paktën tre ose katër ditë në javë, por nuk pranoi të shtynte rifillimin e mësimit në shkolla.

"Fëmijët janë me të vërtetë përparësi e shoqërisë franceze. Kështu që duhet t'i mbajmë shkollat hapur sepse kjo është e rëndësishme", tha ministri francez i arsimit Jean-Michel Blanquer.

Ai tha se qeveria do të zbatojë masa rigoroze për mbrojtjen e shëndetit të nxënësve në shkolla.

“Ne nuk mund të mbajmë peng jetën shoqërore të fëmijëve në këtë pandemi. Ne madje po kritikohemi se po i detyrojmë fëmijët të vënë maskën ose për masa të tjera që konsiderohen si shumë të ashpra. Por, është normale që të kemi një balancë mes masave shëndetësore shumë rigoroze dhe hapjes së shkollave”, tha ministri francez i arsimit.

Anne-Lise Nkashama, prind i një nxënëseje të shkollës fillore dhe një punonjëse spitali, i beson qeverisë për masat që ka ndërmarrë.

"Unë nuk jam shumë e shqetësuar për djalin tim, e di që ai do të mbajë maskën dhe se shkolla do të bëjë gjithçka për të mbrojtur shëndetin e tij", tha ajo.

Strategjia e qeverisë mbështetet tek vaksinimi. Në fjalimin e tij të Vitit të Ri, presidenti francez Emmanuel Macron tha se javët e ardhshme do të jenë të vështira, por nuk foli për vendosjen e masave të reja kufizuese për frenimin e përhapjes së koronavirusit.

Nga e hëna, periudha e vetëizolimit për personat e vaksinuar plotësisht që rezultojnë pozitivë në testet për COVID-19 do të shkurtohet në shtatë ditë nga 10 ditë që ishte më parë, duke ndjekur hapat e vendeve të tjera si Shtetet e Bashkuara, të cilat këtë javë shkurtuan periudhën e vetëizolimit për të parandaluar problemet që mund të shkaktohen nga mungesa e personelit në industri të ndryshme të vendit.

“Duke marrë parasysh nivelin e lartë të infeksioneve ditore, unë preferoj të punojë nga shtëpia. Por, për mua nuk është problem nëse një klient do të preferonte të takoheshim në zyrë”, thotë Samir Lahlouhi, një kontrollor financiar në Paris.

Franca pret të ndeshet me nivele të larta ditore të infeksioneve të reja me COVID-19, ndërsa varianti Omicron vazhdon të përhapet me shpejtësi në të gjithë botën, tha ministri francez i shëndetësisë, Olivier Veran të hënën.

Ai shtoi se vendi, i cili javën e kaluar regjistroi katër ditë radhazi mbi 200,000 raste të reja të koronavirusit, mund të ketë një rritje të rasteve ditore që mund të arrijë deri në 400,000 infeksione në ditë./VOA/

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindja, Presidenti e kryeministri urojnë besimtarët katolikë, Begaj: Të reflektojmë mbi vlerat më të larta të njerëzimit!

Krishtlindja, Presidenti e kryeministri urojnë besimtarët katolikë, Begaj: Të reflektojmë mbi vlerat më të larta të njerëzimit!