Hapen themelet për një shkollë të mesme dhe 9-vjeçare në Njësinë 8, Veliaj: Fryt i bashkëpunimit qeveri-bashki

Hapen themelet për një shkollë të mesme dhe 9-vjeçare në Njësinë 8, Veliaj: Fryt i bashkëpunimit qeveri-bashki

Erion Veliaj inspektim për ndërtimin e shkollave në njësinë nr. 8

Ndërtimi i një shkolle të re është gjithmonë lajm i mirë. Në njësinë 8 në Tiranë shkolla, përveçse do të funksionojë si gjimnaz dhe 9-vjeçare, ka të integruar edhe një kopësht për banorët në zonën pranë Rr. “5 Maji”. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, në vijim të turit të tij në çdo njësi, inspektoi hapjen e themeleve për dy shkollat e reja, ku do të studiojnë rreth 1400 nxënës.

“Sa herë nisim ndërtimin e një shkolle të re jam plot entuziazëm. Çdo fëmijë që do të shkojë në shkollë do të marrë dije dhe e ka fare pranë shtëpisë së tij. Prandaj na duhet bashkëpunimi qeveri-bashki sepse vetëm me këtë qeveri kemi arritur të bëjmë kaq shumë punë të mira. Shumë prej këtyre shkollave, përfshirë edhe atë tek Instituti Bujqësor, tek “Don Bosko”, tek “Shqiponja”, i kemi bërë 50 me 50; pra një pjesë qeveria, një pjesë bashkia”, sqaroi Veliaj.

Kryebashkiaku shprehu rëndësinë që kanë vazhdimësia e bashkëpunimit mes qeverisë dhe bashkisë.

“Kemi patjetër interes ta vijojmë këtë bashkëpunim edhe në mandatin e tretë të qeverisë, sepse ky bashkëpunim prodhon zgjidhje për njerëzit që kanë nevoja. Kjo këtu do të jetë shkolla më e madhe në Republikë, me 10 mijë metra katrorë, e cila do të ketë hyrje të veçanta për parashkollorët, për 9-vjeçaren dhe për shkollën e mesme. Kjo do të thotë se fëmijët, nga mosha 4 deri në 18 vjeç, nuk kanë asnjë arsye të kërkojnë shkolla të tjera”, u shpreh ai.

Veliaj shtoi se kalimi i Unazës së Katërt në këtë pjesë të qytetit do t’i rrisë edhe më shumë vlerat pronës. Ai theksoi se kjo bashki u ka shërbyer të gjithëve njësoj, edhe në ato zona të cilat dikur njiheshin si bastione të së djathtës.

“Në Njësinë 8 vijmë kryelartë për të gjitha shkollat e çerdhet që kemi bërë, ndërhyrjet në rrugë dhe me Pazarin e Ri. Është vetëm çështje kohe sa t’i mbarojmë të gjitha rrugët, por parimi është: ai që bën 9 punë, bën edhe 10; ai që fle gjumë, s’bën dot asnjë punë. Në Njësinë 8, që ka qenë ish-bastion i kundërshtarëve tanë, sot është bastion i yni, sepse diferencën e bën puna”, tha kryebashkiaku.

Një tjetër ndalesë në Njësinë 8 e ishte edhe familja e Adjola Kushovës, përfituese nga programi i kredive të buta të Bashkisë së Tiranës. Veliaj tha se shqiptarët e kanë kuptuar se partia numër një e tyre është familja.

“Kam takuar plot të djathtë ose të tjerë, që kanë votuar parti të tjera, të cilët më thonë: Për sa kohë më ke ndihmuar me shtëpi, ke bërë rrugë, çerdhe, kopshte, shkolla, partia numër një është familja, partitë e tjera janë në funksion të familjes”, vijoi ai.

Në turin e takimeve në Njësinë 8, Veliaj zhvilloi një bashkëbisedim edhe me bizneset e zonës, si dhe me stafin e kësaj njësie administrative, të cilëve u kërkoi mbylljen e dosjeve të tërmetit dhe finalizimin e procesit të dhënies së pagesave.

E.M./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë