/ATSH-B.Jashari/- Qëndresa heroike e familjes Jashari për liri prezantohet me mbi 100 artefakte në festën e 102 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë e të Flamurit Shqiptar, 28 Nëntor, në ekspozitën tematike në Muzeun Shtetëror të Kosovës, nga sot pasdite, për t'u mbajtur e hapur deri në fund të vitit 2014. Në ceremoninë e hapjes së ekspozitës mori pjesë edhe përfaqësuesi i familjes heroike nga Prekazi, Murat Jashari.

"Muzeu i Kosovës në këtë festë zyrtarisht hap ekspozitën historike 'Qëndresa heroike e Jasharëve për liri, rast unik në historinë botërore', theksoi drejtoi, Arsim Mehmeti, duke shpallur hapjen pak më parë në një ceremoni që po vazhdon. Autori i ekspozitës, Sadik Krasniqi, duke falënderuar të gjithë mbështetësit, është shprehur se, "tre breza të familjes Jashari janë sakrifikuar në epopenë e marsit 1998"."Ky eveniment bëhet me rastin e Festave Kombëtare të Nëntorit, që koinçidon me datëlindjen e Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe daljen publike të UÇK-së në skenë", theksuan organizatorët e ekspozitës. Në kuadër të aktiviteteve për Nëntorin e Historisë, sektori i Historisë i Muzeut Shtetëror të Kosovës sjell ekspozitën me dëshmi që janë një pasuri e rëndësishme e kombit shqiptar.

Ekspozita prezanton eksponate tredimensionale, fotografi, dokumente, harta, shtyp të kohës dhe xhirime filmike.Në 5, 6 e 7 mars 1998, në Epopenë e Prekazit, në mbojtje të pragut të shtëpisë dhe Kosovës, në luftën për liri dhe pavarësi, ranë heroikisht 56 anëtarë të Familjes Jashari, 20 prej tyre të Familjes së ngushtë të Komandantit Legjendar të UÇK-së, Adem Jashari, në përballje me sulmin e egër të forcave serbe të kasapit të Ballkanit, Millosheviç, i cili ka përfunduar në Gjykatën Ndërkombëtare për Krime Lufte në Hagë.