VLORË- Duke filluar nga 9 korriku, qytetarët që kanë zgjedhur jugun e vendit për kaluar pushimet, do të mund të kalojnë tashmë nga Bypassi i Vlorës, duke shmangur në këtë mënyrë trafikun e rënduar që krijohet gjatë sezonit veror. Kryeministri Edi Rama ka publikuar një video në të cilën shfaqet rruga e përfunduar.

“Mirëmëngjes nga Bypass i Vlorës që do të hapet përfundimisht më 9 korrik, ju uroj një të diel të qetë”, shkruan Rama.

Kjo vepër infrastrukturore me një gjatësi 29 kilometra nis në fundin jugor të autostradës Levan-Vlorë dhe përfundon në lindje të Orikumit ku bashkohet me rrugën nacionale Orikum-Sarandë. Rruga e re vlerësohet si një ndër segmentet me impaktin më të lartë turistik që  do të ndikojë ndjeshëm në lehtësimin e trafikut në qytetin e Vlorës.