Menaxhimi dhe operimi në Terminalin e Kontejnerëve në Portin e Durrësit do t'i lihet në dorë privatit për 5 vjet. Autoriteti Portual Durrës ka hapur tenderin me fond limit 3.7 miliardë lekë pa TVSH me objekt:

"Shërbimi i menaxhimit dhe operimit të Terminalit të Kontejnerëve në portin e Durrësit tek operatorë portualë privatë të specializuar për 5 vjet”.

Të gjitha kompanitë e interesuara, vendase dhe te huaja kanë afat deri në 22 shtator. Financimi do të mbulohet nga të ardhurat, që sigurohen nga tarifat portuale për shërbimet me kontejnerët.

Kompania fituese do të ketë të drejtën të menaxhojë, operojë duke përfshire ngarkimin dhe shkarkimin e anijeve konteinerike, aktivitetet e lidhura si  depozitim kontejnerësh, si dhembushje-zbrazje të mallrave. Operatori po ashtu do të mbledhë edhe të ardhurat për llogari të portit.

 “Operatori ekonomik qe do te realizoje shërbimin e menaxhimit dhe operimit të terminalit të kontejnerëve në Portin e Durrësit do te kryeje te gjitha veprimet e nevojshme procedurale qe tarifat e shërbimeve te rubrikës 1-10 (përjashtuar rubrikën tarifës së automjeteve dhe të parkimit dhe te kalojnë direkt pagesa nga marrësi i shërbimit ne llogarinë bankare te Autoriteti Portual Durrës, pa u përfshire ne transaksion financiar vete ky operator”, thuhet në dokumente.

Në këtë tender është përdorur "Procedurë e Kufizuar mbi kufirin e lartë monetar”. Kjo procedurë nuk përdoret për punë/mallra/shërbime, që gjenden lehtësisht në treg ose që kanë specifikime teknike apo standarde të përgjithshme e të mirënjohura në treg.

Porti i Durrësit është epiqendra e tregtisë së mallrave në vend, në të cilin aktualisht zbatohet kontratat e skanimit të kontejnerëve.