Dibër- Kryeministri Edi Rama mori sot (14 mars) pjesë në hapjen e Tunelit të Murrizit, në 'Rrugën e Arbrit' në Dibër. Dhe për simbolikë ishte zgjedhur pikërisht festa e Ditës së Verës. 

Me hapjen e tunelit pas 6 vitesh punimesh për qarkullimin e mjeteve, udhëtimi nga Tirana në Dibër dhe anasjelltas, do të jetë vetëm 2 orë dhe është i ndërtuar me strukturë hekuri dhe jo guri apo gërmimi. 3,8 km i gjatë dhe me 11 hyrje-dalje emergjence.

Dhjetëra qytetarë kanë pritur kryeministrin dhe zyrtarë të tjerë të qeverisë dhe institucioneve teksa inaugurohej tuneli i ri, ndërsa në sfond kishte muzikë dhe valle festive.

Teksa përshëndeste të pranishmit në hyrje të tunelit, dëgjoheshin edhe thirrje të tilla si “Mirëseerdhe Skënderbeu i Shqipërisë!”, apo “Ti je më i miri, e mbajte premtimin!”. Nuk munguan as parulla si "Plasi syri i keq!".

Një tjetër detaj pikant ka qenë zënia e rrugës së kryeministrit nga një fëmijë me telefon në dorë, që kërkonte ta filmonte dhe fotografonte live. Kryeministri e mori në krahë dhe e përqafoi, teksa vijoi më tej të përshëndetej me banorët dhe stafin e punonjësve të këtij kantieri. 

“Jemi shumë të lumtur për këtë vepër. Jemi të kënaqur që ky tunel u bë”, shprehet një banore teksa grupi udhëton me autobus drjet sheshit të kantierit për inaugurim.

Kryeministri Rama i përgjigjet:

“Dibra nuk shpëtoi, Dibrën e shpëtuam ne, tani edhe Maqellarë-Peshkopi, mbaron në prill. Nuk besojnë ata, thonë do e lënë se e kanë për zgjedhje”.

Kryeministri shoqërohej edhe nga ministrja e Infrastrukturës, njëkohësisht zv/kryeministrja Belinda Balluku.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:33
Simbolikë nga Dibra, momenti kur banorët i dhurojnë Ramës përkrenaren e Skënderbeut dhe librin 'Historia e Dibrës' (VIDEO)

 

Kryeministri Edi Rama ishte i pranishëm në hapjen e Tunelit të Murrizit në Dibër. Gjatë vizitës, disa banorë të zonës i dorëzuan një imitim të përkrenares së Skënderbeut dhe librin “Historia e Dibrës”.

Tuneli është pjesë e Rrugës së Arbrit, që lidh Dibrën me Tiranën. Dhuratat u bënë në kuadër të ceremonisë së organizuar për përurimin e projektit.