TIRANE- Ligji për hapjen e dosjeve tashmë ka hyrë në fuqi dhe pritet që menjëherë pas miratimit të ngritjes së Komisionit të fillojë nga funksionimi. Fusha e veprimit të ligjit shtrihet te dokumentet e ish­Sigurimit të Shtetit të periudhës 29 nëntor 1944 - 8 dhjetor 1990.

Ligji garanton transparencën, të drejtën për informim dhe mundësitë e aksesit tek informacioni, pa shkelur të drejtën kushtetuese për jetën private dhe mbrojtjen e të dhënave personale dhe përmban elementë të lustracionit, në masën që kjo është e lejueshme nga Kushtetuta.

Autoriteti detyrohet t’i përgjigjet çdo kërkese të institucioneve kushtetuese dhe autoriteteve publike lidhur me ekzistencën e informacioneve në dokumente të ish-Sigurimit të Shtetit, kur kjo kërkohet në kuadër të vlerësimit, të cilësive të kandidatëve për t’u emëruar apo promovuar si: President, ministra, zëvendësministra, funksionarë politikë, anëtarë të Trupës së Nivelit të Lartë Drejtues në administratën shtetërore e pozicione të barazvlefshme me to; anëtarë të KLD, gjyqtarë e prokurorë; anëtarë të Kushtetueses; funksionarë në FASH,

Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë, Gardës, oficerë me gradën “Gjeneral” e “Kolonel”; prefektë; drejtues dhe punonjës të SHISH, Shërbimit Informativ Ushtarak e çdo njësie tjetër të inteligjencës; drejtues në Polici; në përfaqësitë diplomatike; guvernatorë dhe zv.guvernatorë të BSH; anëtarë të Akademisë së Shkencave, rektorë, zëvendësrektorë, dekanë, zëvendësdekanë në universitetet publike; drejtor i Përgjithshëm dhe zëvendësdrejtorë të Radiotelevizionit Publik Shqiptar; drejtor dhe zëvendësdrejtor i ATSH.

Kur kërkesa kërkohet nga institucionet kushtetuese dhe autoritetet publike përkatëse, Autoriteti i informon ato edhe nëse subjekti për të cilin paraqitet kërkesa: ka qenë anëtar ose kandidat i Byrosë Politike, anëtar i KQ të PPSH, anëtar i Presidiumit të Kuvendit Popullor, kryetar i Gjykatës së Lartë, Prokuror i Përgjithshëm, Kryetar i Hetuesisë së Përgjithshme, ministër apo zv.ministër i Ministrisë së Punëve të Brendshme, kryetar i degëve të punëve të brendshme, anëtar i Komisionit Qendror të Dëbim Internimeve, hetues, prokuror, gjyqtar apo ndihmësgjyqtar në procese politike, denoncues apo dëshmitar i akuzës në proceset politike dhe për mënyrën sesi figuron në dokumente, si punonjës, bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të Shtetit apo i favorizuar.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 18Tetor 2015

Redaksia Online
(e.m/shqiptarja.com