Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi zhvilloi sot një takim me ambasadorin italian në Shqipëri,  Alberto Cutillo, ndërsa u diskutua për bashkëpunimin dhe procesin e integrimit. “Italia ka qenë dhe do të mbetet avokatja më e mirë e Shqipërisë në procesin e integrimit europian dhe për këtë populli shqiptar, Kuvendi, Qeveria dhe institucionet shqiptare i jemi të gjithë mirënjohës.

Kjo mbështetje u konstatua edhe gjatë Konferencës së Kryetarëve të Parlamenteve të Vendeve Anëtare të BE-së,  e cila u zhvillua në Vjenë në datat 8-9 prill, në të cilën triumfoi fryma e zgjerimit të BE-së drejt vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe në të cilën Itakia pati një zë të fuqishëm" vuri në dukje Kryetari i Kuvendit Ruçi. 

Ambasadori Cutillo nënvizoi se  ndihma dhe kontributi i Italisë për rrugëtimin europian të Shqipërisë do të vazhdojë dhe do të intensifikohet. Kryetari i Kuvendit Ruçi  dhe  Ambasadori Cutillo diskutuan edhe mbi vizitën e ardhshme zyrtare të Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë në Itali, me ftesë të Presidentes së Senatit Casellati dhe Presidentit të Dhomës së  Deputetëve Fico, në datat 14-16 prill,  e cila ka në fokus koordinimin e përpjekjeve për marrjen e një vendimi pozitiv, për çeljen e negociatave të BE-së me Shqipërinë, në qershor 2019.