Hapja e negociatave/Bushati:
Pres mbështetjen e shteteve të BE
 

Hapja e negociatave/Bushati:<br />Pres mbështetjen e shteteve të BE<br>

 
Strategjia e Zgjerimit e Komisionit Evropian e prezantuar sot nga shefja e diplomacisë evropiane Federica Mogherini, rikonfirmoi të ardhmen e Ballkanit Perëndimor në BE, dhe vlerësoi Shqipërinë e Malin e Zi për hapat e deritanishëm.

Për këtë strategji ka reaguar edhe ministri i Jashtëm shqiptar Ditmir Bushati, i cili nëpërmjet një postimi në Facebook, është shprehur se pret një vlerësim pozitiv nga Komisioni Evropian për hapjen e negociatave, si dhe mbështetjen njëzëri të të gjitha shteteve anëtare.

Bushati shprehet se Shqipëria do të mirëpriste edhe rritjen e financimeve nga BE-ja, për të zvogëluar hendekun ekonomik që ekziston mes vendeve të Bashkimit dhe atyre të Ballkanit.

Ja statusi i plotë i Bushatit:

Strategjia e Zgjerimit e Komisionit Evropian dëshmon vëmendjen ndaj Ballkanit Perëndimor, sikundër ofron një listë masash për integrimin dhe transformimin e të gjitha vendeve të rajonit në Bashkimin Evropian.

Reforma në drejtësi, zë një vend qendror, ku sipas modelit të reformës së thellë e transformuese të Shqipërisë, vendeve të rajonit u rekomandohet një plan konkret hapash dhe masash për përgatitjen e tyre për zbatimin e detyrimeve që burojnë prej anëtarësimit në BE.

Mirëpresim vlerësimin e Komisionit Europian dhe gatishmërinë për fillimin e bisedimeve të anëtarësimit me Shqipërinë.

Ne besojmë që ky vlerësim i Komisionit do të mbështetet njëzëri nga vendet anëtarë të Bashkimit Evropian, si një investim i qëndrueshëm për procesin e pakthyeshëm të reformave në Shqipëri dhe stabilitetin demokratik të rajonit.

Duke pasur parasysh hendekun zhvillimor mes vendeve të rajonit dhe BE-së, mirëpresim që angazhimet e kësaj Strategjie të specifikohen më tej me programe e instrumente financiare në mbështetje të infrastrukturës, ndërlidhjes, arsimit e sigurisë energjitike të rajonit tonë.

Shpresojmë që Bashkimi Evropian të forcojë angazhimin në rajon e të demonstrojë qartësi strategjike për të transformuar thellësisht dhe këtë pjesë të Evropës.

s.k/Shqiptraj.com 

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Erlind Sulo emërohet drejtori i Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore

Erlind Sulo emërohet drejtori i Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore