Haradinaj: Gjykata Kushtetuese
po përdor standarde të dyfishta

Haradinaj: Gjykata Kushtetuese<br />po përdor standarde të dyfishta
PRISHTINE - Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, shprehet se Gjykata Kushtetuese përdori standard të dyfishtë kur dha vendimin, e pezullimit të përkohshëm të Isa Mustafës si kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës, duke i kërkuar kështu Kuvendit të përmbahet nga çdo veprim deri në vendimin përfundimtar.

Sipas tij, në rastin e zgjedhjes së Behxhet Pacollit President, Kushtetuesja nuk mori një vendim të tillë për masë pezullimi.

Haradinaj në një intervistë për KosovaPress deklaron se Kosova është peng “i zaptueshmërisë së regjimit të Thaçit”, siç shprehet ai, por thotë se të gjithë ata që janë shkaktarë të krijimit të një situate të pengut në Kosovë do të marrin shpërblimin, përfshirë edhe ata të institucioneve të pavarura.

“Është standard i dyfishtë, i përdorur nga gjykata në rastin e presidentit të mëhershëm. S’ka pasë masë pezullimi, në këtë rast ka. Kosova është peng i zaptueshmërisë së regjimit, po përdori një term që e ka përdorë kryesisht Vetëvendosja, të regjimit të Thaçit, por nuk mundet me u mbajtë peng ky proces politik për shkak se të zgjedhurit, në këtë rast deputetët, e kanë vendosë me i dhanë zgjidhje çdo situate të krijume, qoftë edhe me ndërhyrje në institucionet e pavarura, do t’i japim zgjidhje përmes Parlamentit. Të gjithë ata që janë shkaktarë të krijimit të një situate të pengut në Kosovë do ta marrin shpërblimin e vetë. Prej të zgjedhurve të popullit, prej qytetarëve, prej kësaj shoqërie. Pra, edhe zoti Thaçi edhe PDK-ja e ka marrë shpërblimin e parë politik, askush nga ne në politikë nuk dëshiron me punu me ta, por edhe të tjetër, qofshin edhe në institucionet e pavarura, do ta marrin shpërblimin e vetë. Pra, do ta marrin shpërblimin e shërbimeve që ja bojnë zaptimit të Kosovës nga qeveria Thaçi. Pse? Sepse nuk është një proces ose nuk është një punë që ka të bëjë me grupacione politike. Është një punë që ka të bëjë me një vend, e njerëzit e këtij vendi po dojnë me i dhanë drejtim këtij vendi, e askush s’do të mund me e mbajtë peng." tha Haradinaj

Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, përjashton çdo mundësi të ndonjë skenari në të cilin do të mund të përfshihej edhe Partia Demokratike e Kosovës në qeverisje, por vazhdon të mos shprehë siguri në arritjen e ndonjë marrëveshjeje me Vetëvendosjen për bashkëqeverisje, ku thotë se “Kosova duhet të mbetet proaktive në rajon, proaktive në integrime, proaktive në ekonomi”.

Sa i përket takimit të ndihmësekretares për çështje të Evropës dhe Euroazisë, Victoria Nuland, në Departamentin e Shtetit Amerikan, me tre liderët e partive më të mëdha, por jo atë të Albin Kurtit, Haradinaj thotë se “hetohet që është ende një ftohje, ose një zbehje e një besimi të ndërsjellë në mes të VV-së dhe partnerëve ndërkombëtarë, mirëpo edhe ajo është evolutive, mund të ndryshojë”.

Ai thotë se kanë mbështetjen edhe të faktorit ndërkombëtar, por se duhet të rrisë bashkëpunimin me Berlinin.

“Duhet ta ruajmë një partneritet me Uashingtonin, është tepër e nevojshme, është i dobishëm. Do të punojmë me BE-në, por duhet ta rrisim bashkëpunimin me Berlinin, pra duhet t’i japim një peshë këtij bashkëpunimi, meqenëse në këtë frymë ne, vetvetiu sa e kuptojmë rëndësinë e temave, dhe rëndësinë e partnerëve, të akterëve që na përballemi çdo ditë të jetës sonë”, deklaron Haradinaj.

Njëherit edhe i nominuar për kryeministër i koalicionit LDK-AAK-NISMA për Kosovën, Ramush Haradnaj, thotë se Kosova ka nevojë për një qeveri emergjente dhe politika urgjente, pasi që sipas tij “Kosova është e sëmurë shumë rëndë prej korrupsionit”./KosovaPress/

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket turizmi këtë sezon, krahasuar me një vit më parë?



×

Lajmi i fundit

Qëlloi të riun në Thumanë, pezullohet nga detyra drejtori i Rrugores Altin Qato

Qëlloi të riun në Thumanë, pezullohet nga detyra drejtori i Rrugores Altin Qato