Edhe pse fillimisht e kundërshtoi fuqishëm marrëveshjen Kosovë- serbi të nënshkruar në Washington, kreu i Aleancës për ardhmërinë e Kosovës, e cilësoi atë “dëshmi të lidershipit botëror” dhe “konfirmim të interesit” që kanë Shtetet e Bashkuara të Amerikës për “paqe, prosperitet ekonomik dhe stabilitet në Kosovë dhe rajon”. Në anën tjetër Ramush Haradinaj, i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian dhe Vatikanit që të rishikojnë politikën e tyre kundrejt  Kosovës, të njohin pavarësinë e saj dhe të liberalizojnë vizat. 

 “Pritjet tona janë që edhe BE-ja të tregojë përkushtimin dhe seriozitetin e njëjtë, duke lehtësuar procesin e njohjes së Kosovës nga shtetet e saj, që ende nuk e kanë njohur Kosovën, si dhe përmbushjen e premtimit për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Lutjet tona po ashtu shkojnë drejt Papa Françeskut, me shpresën që shpejt edhe Selia e Shenjtë do ta njohë Kosovën tonë si shtet të pavarur e sovran,” thekson në fjalën e tij Haradinaj.

Që nga  17 shkurti 2008 kur Kosova, shpalli pavarësinë e saj, atë e kanë njohur 24 shtete anëtare , pasi Spanja, Sllovakia, Rumania, Greqia dhe Qipro nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, qëndrim i cili mbahet edhe nga Vatikani.

Pas marrëveshjes së arritur më 4 shtator në Uashington, Serbia dhe Kosova  do të çojnë përpara zhvillimet e përbashkëta ekonomike  dhe për një vit do të ndalojnë tensionet politike.