Harito: Forumi i Aktorëve të Interesit
rrit besimin e publikut në qeverisje 

Ministrja e Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, Milena Harito, Ambasadori i SHBA në Tiranë, Donald Lu dhe përfaqësues të Shoqërisë Civile kanë prezantuar sot paradite Forumin e Aktorëve të Interesit (OpenALB), një mekanizëm që siguron zbatimin e suksesshëm të Partneritetit për Qeverisje të Hapur (PQH) në Shqipëri.
 
PQH shërben për rritjen e besimit të publikut në qeverisje dhe institucione, nëpërmjet rritjes së llogaridhënies dhe përgjegjësimit të gjithë shoqërisë. Forumi synon të sjellë së bashku përfaqësues të qeverisë, shoqërisë civile dhe grupeve të interesit në një dialog me qëllim ndërmarrjen e angazhimeve konkrete për të nxitur reformat për një qeverisje të hapur dhe inovative në nivel kombëtar.
 
Aktivitetin e organizuar me këtë rast e ka çelur ministrja Harito, e cila në fjalën e saj ka theksuar rëndësinë që i ka kushtuar qeveria shqiptare zbatimit të nismës së Partneritetit për Qeverisje të Hapur. Sipas saj në vitet e fundit janë një sërë nismash thelbësore për rritjen e transparencës në qeverisje, duke nisur nga legjislacioni, me ligjet “Për konsultimin Publik” dhe “Për të drejtën e Informimit”, e duke vijuar me portalin “Stop Korrupsionit”, aplikacionin “Komisariati Dixhital”, portalin për rekrutimet në Administratën Publike etj.
 
Duke folur për Forumin e Aktorëve të Interesit (OpenALB) ministrja Harito u shpreh: “Forumi do të jetë një hapësirë e rregullt takimi për të gjithë përfaqësuesit e institucioneve shtetërore, përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe aktorë të tjerë për të marrë vendime në lidhje me planin e veprimit të shtetit shqiptar në procesin e Partneritetit për Qeverisje të Hapur. Krijimi i këtij forumi vjen në monetin kur ne po hartojmë Planin e III të Veprimit dhe duket se ka një angazhim shumë të madh nga shoqëria civile, nga institucionet e pavarura dhe sigurisht nga Qeveria. Unë besoj se ky forum do të jetë një mjet produktiv për ta çuar përpara këtë nismë”.
 
Shqipëria është anëtare e PQH që prej vitit 2011 dhe aktualisht po zbaton Planin e II Kombëtar të Veprimit. Forumi do të angazhohet në promovimin e nismës së partneritetit për Qeverisje të Hapur, konsultimin dhe hartimin e Planit Kombëtar të Veprimit dhe Monitorimin e Zbatimit të Angazhimeve, me qëllim shtrirjen e praktikës përtej bazës aktuale të vendit në fushën e transparencës, llogaridhënies dhe angazhimit të qytetarëve.


Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si po përballohet situata e krijuar nga zjarret në vend?



×

Lajmi i fundit

Delvinë/ Zjarr i madh mes fshatrave Vllahat dhe Kostar, flakët rrezikojnë banesat