Harito: Identifikimi elektronik rrit
sigurinë e transanksioneve elektronike

Harito: Identifikimi elektronik rrit<br />sigurinë e transanksioneve elektronike
Komisioni parlamentar i Ligjeve miratoi të mërkurën pa debate dy projektligje, atë “Për identifikimin elektronik dhe shërbimet e besuara” dhe disa shtesa në ligjin “Për dokumentin elektronik”.

E pranishme në komision, Ministrja e Inovacionit dhe Administratës Publike, Milena Harito, duke prezantuar draftin e parë tha se ai synon rritjen e sigurisë për transaksionet elektronike në tregun e brendshëm, duke siguruar një bazë të përbashkët për bashkëveprim të sigurt elektronik midis qytetarëve, bizneseve dhe autoriteteve publike.
Pr/ligji, që bazohet në përvojën finlandeze dhe rregulloren e Parlamentit Europian, përcakton kuadrin ligjor për identifikimin elektronik, vulat elektronike, shërbimin e dorëzimit elektronik dhe autentifikimin e faqeve të internetit në Shqipëri.

Pika kyçe e gjithë këtij sistemi, sipas saj, do të jetë karta e identitetit ID, të dhënat e së cilës do të përdoren për identifikim në çdo transaksion. Identifikimi elektronik i sigurt mundësohet nëpërmjet mjeteve të identifikimit elektronik, të lëshuara sipas një skeme identifikimi nga ofruesit e kualifikuar të shërbimit të besuar, me qëllim përfitimin e shërbimeve elektronike.

Sipas ministres Harito, të dhënat personale të krijuara nëpërmjet identifikimit elektronik të sigurt do të merren të mirëqena dhe të vërteta dhe kanë të njëjtën vlerë ligjore me të dhënat e përftuara nga identifikimi i një personi fizik nëpërmjet dokumentit zyrtar të identifikimit ID, ndërsa ofruesi i kualifikuar i shërbimit të besuar kontrollon identitetin e kërkuesit nëpërmjet letërnjoftimit elektronik

Pas kësaj, bëhet pajisja me mjete të identifikimit elektronik të sigurt që bazohet në një marrëveshje me shkrim ndërmjet aplikantit për mjet identifikimi elektronik dhe ofruesit të shërbimit të besuar.

Ndërsa shtesat në ligjin “Për dokumentin elektronik” synojnë përmirësimin e cilësisë së shërbimeve në sektorin publik duke sjellë ndryshime që lidhen me konceptin e “kodit dydimensional” si një teknologji inovative, në kopjen letër.

Dokument elektronik është çdo informacion i krijuar me cilësi dokumentare, i dërguar, i marrë ose i ruajtur në formë elektronike nga një sistem kompjuterik apo nga një mekanizëm i ngjashëm. Dokumenti elektronik, si dhe kopja e tij në letër janë të barasvlershme në kryerjen e transaksioneve apo veprimeve juridike, ku kërkohet paraqitja e dokumentit elektronik apo kopja e tij në letër e vërtetuar.

Ministrja Harito shpjegoi se projektligji në fjalë propozon që kopja, në letër, e dokumentit elektronik, të mund të bëhet duke vendosur në të një apo më shumë kode dydimensionale, të cilat mundësojnë verifikimin e përputhshmërisë së kopjes në letër, me dokumentin elektronik origjinal. Kjo bëhet për të shtuar edhe një alternativë në njohjen e kopjes në letër të dokumentit elektronik me qëllim lehtësimin e shërbimeve elektronike dhe për të nxitur aplikimin e teknologjisë së inovacionit. /ATSH/

Redaksia Online
(Shqiptarja.com)

 

  • Sondazhi i ditës:

    Censi 2023, popullsia u tkurr me 419 mijë në 12 vite, cili është shkaku?



×

Lajmi i fundit

Ministri Hasani 'përplaset' me Lajçak: Përqëndrohuni tek dialogu Kosovë-Serbi, do jemi të lumtur nëse do ketë rezultate

Ministri Hasani 'përplaset' me Lajçak: Përqëndrohuni tek dialogu Kosovë-Serbi, do jemi të lumtur nëse do ketë rezultate