TIRANE- Ministrja për Inovacionin dhe Administratën Publike, Milena Harito, e ftuar në emisionin “5 pyetje nga Babaramo” ka bërë publike projektet e ministrisë së drejtuar prej saj të cilat do të prezantohen në javën e ardhshme e cila do të jetë edhe “java e inovacionit”. Sipas saj, nëpërmjet teknologjisë ofrohet më shumë transparencë për të gjithë qytetarët.

“Në javën e ardhshme do të shfaqim projektin për një portal që do të përmbaj të dhënat gjeo-hapësinore që do të ndikojë në mënyrë thelbësore në çështjen e pronësisë. Të gjitha të dhënat do të jenë publike dhe në shërbim të publikut. Gjithçka do të jenë mbi bazë referencash dhe do të jenë unike.”-tha ministrja Harito.Ministrja e Inovacionit sqaroi edhe për nivelin e ulët të përdorimit të shërbimeve kompjuterike në vend dhe për vështirësinë e futjes së aplikacioneve online për shërbime të ndryshme. “Një projekt madhor do jetë “Onë Stop Shop”, që do të mundësoj shumë shërbime për publikun në një zyrë të vetme, ku do të përfshihen marrja e pasaportës, pagesat e gjobave, marrja e certifikatave”,-tha ministrja.

Në lidhje me çështjen e nënpunësit civil, Harito u shpreh se deri në muajn korrik nuk do të bëhet asnjë konkurs për vende të reja punë në zbatim të ligjit, ndërkohë që sipas saj po verifikohen dosjet e zhvillimit të konkurseve të mëparshme. Ministrja vlerësoi si shumë të rëndësishëm edhe projektin pilot për pajisjen me tableta, të nxënësve të gjimnazeve që sipas saj është një revolucion në shërbim të dixhitalizimit të kurikulave mësimore. Harito ka bërë një koment edhe për zgjedhjet në PS, duke i konsideruar të panevojshme në kohën kur kryetari i Partisë është kryeministër dhe ka fituar zgjedhjet.

Shkrimi u publikua sot, 6 maj 2014 në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia online
(d.a/shqiptarja.com)