Harresa për Bik Ndojën

Harresa për Bik Ndojën
Bik Ndojën e lanë si një varfanjak. Amaneti i kolosit: “Mos ma marroni jaren Shkodrane”. Fadil Kraja-në takimin e fundit më tha: “Du me ba nji kangë për Shkodrën, i jam borxhli Shkodrës”.
 
Në shtëpinë e tij të vogël, Bik Ndoja mbylli sytë si një varfanjak, po po si një varfanjak. Ashtu e lanë kolosin e jares shkodrane. Nganjëherë nuk kishte para as për të ndërruar zinxhirët e biçikletës së tij të famshme që të gjithë e njohin si biçikleta e Bik Ndojës. Sot nuk e di ku mund të jetë ajo biçikletë. Dikush mund ta ketë hedhur, ashtu siç hodhën Bikun për vite me radhë. E kur nuk kanë turp për se si e lanë, nuk patën turp as t’i dilnin përballë kur arkivoli u hap në shtëpinë e tij, teatrin “Migjeni”. Ishin aty, bënin sikur ishin mërzitur shumë e sikur trishtimi i madh i kish kapur.

Askush ose pak kush e di se vetë Biku, në një prej intervistave të tij të fundit pati rrëfyer se si në teatrin “Migjeni” për të justifikuar rrogën i la mbi shpinë garderobën por edhe rrobaqepësin.

“Nuk dua të akuzoj Shkodrën teme të dashtun, por persona të tillë që Shkodra ka pas dhe për fatin jo të mirë vazhdon të ketë edhe sot. Zakonisht kjo ndodh nga njerëz që nuk e njofin artin dhe bajnë sikur e drejtojnë atë. Ishin pikërisht ata te Shkodrës që megjithëse unë e kisha nji vlerë ne sytë e të tjerëve, më punësuan si rrobaqepës, më ngarkuan edhe gardërobën, bile më ngarkuen të përgjigjesha edhe për rekuizitën. Ndjehem krenar që ua dola të gjithave. Tek nji artistit arti vritet vetëm kur ti marrësh frymën. Frymën ma lanë e unë e shfaqa artin që pata përbrenda”.

"Frymën ma lanë”-çfarë përshkrimi i kolosit që tregon mësëmiri se si e trajtuan edhe në të ashtëquajturën demokraci. Violeta Zefi, këngëtarja shkodrane do të thoshte edhe më shumë në lamtumirën e kolosit Bik Ndoja.

“Kam shumë zor të flas sepse ndoshta s’ka qenë i zoti të dalë e të pijë një kafe dhe si ka rënë ndër mend institucioneve për të”.

Frederik Ndoci do ta përforconte edhe më shumë për të treguar se si Bik Ndoja asnjëherë nuk u trajtua si një kolos, ashtu siç në të vërtetë ishte.

“Autoritetet e të gjitha kohrave e kanë lënë të anashkaluar Bik Ndojën. Autoritetet do thosha e kanë lënë me dashje për 25 vite, që ashtu si shumë vlera tona kanë marrë fund për 70 vite edhe kjo e fundit e Bik Ndojës që ishte kapaku i jares shkodrane. Unë me një mllef social do thosha por pak edhe si artist e si mik e si koleg më dhimbsesh karriera e tij aq e dendur dhe aq e gjatë. Jarja është një pasuri kombëtare që po zhduket dhe askush nuk dëgjohet dhe më vjen keq nga pamundësia jonë për ta ngritur zërin. Shumë të tjerë kanë tituj që nuk i meritojnë dhe Bik Ndoja nuk ka, është pak e trishtueshme. Vdiq mbreti i jares por nuk do thotë se tallavaja do mbijetojë”.

Fjalë zemre të Frederikut që ata të cilët e lanë në harresë e në ditën e lamtumirës bënin sikur e nderonin duhet të ndalen e të kthjellohen mirë sepse sado fasadë të na bëjnë, është Biku që i sheh nga lart. Mund të jetë edhe duke nënqeshur dhe një mendje më thotë se është bashkë me Skënder Drinin, Tonin Tërshanën, Fatbardh Smajën e Smajl Alinë, të tjerë figura të artit që 2015-ta i mori me vete por që patën të njëjtin fat si Biku, harresën.
 
E kur fliste edhe për muzikën Bik Ndoja shprehej se më shumë ka zhurma se sa bajnë muzikë por quhet muzikë.

“Ka nji ndryshim negativ në ritëm, zhurma bam – bum po quhet muzikë, duket sikur po largohet çdo ditë nga origjina, nuk më pëlqen lakuriqsia në kangë që asht karakteristike vetëm për haremet turke. Në skenë duhet me u gërshëtue gjithçka, por jo ma së pari me thanë: “Ah çfarë femnet ish!” Ka hy paraja, por paraja nuk ban art. Vetëm artisti ban art”.

E kush mund të mendohet se ishte amaneti i tij veçse jarja shkodrane që e mbante si një fëmijë të tijën që i dha jetë dhe e përçoi në të gjithë Shqipërinë e më gjërë. “Mos ma marroni jaren shkodrane se Palok Kurti i ka dhanë fytyrë shqiptare”.

E të gjitha këto po ndodhin, jarja po i marrohet Bikut, jo veçse po humb por edhe po e përçutnojnë duke e këndu turli lloj mikrofon-mbajtësish. Instrumentisti Namik Jahja do të bentë një përshkrim gati të përsosur. 

“Kemi humbur një këngëtar të madh kurse jarja shkodrane ka humbur të zotin e saj. Do të mungojë për një kohë shumë të gjatë jarja jonë e bukur shkodrane sepse që të dalin këngëtarë të tillë duhen shumë dekada dhe prap varet a dalin apo jo. Fatmirësisht as vdekja nuk e ka fuqinë e duhur me marrë kujtimet që ai na ka lënë, interpretimet e përkyrera të tija”.

Ndërsa këngëtarja shkodrane Sabahete Vishnja kërkonte edhe një muze për Bik Ndojën, dramaturgu e shkrimtari Fadil Kraja do rrëfente takimin e fundit me Bikun, kur legjenda e muzikës popullore do t’i thoshte me gjithë modesti se “du me ba nji kangë për Shkodrën se i jam borxhli Shkodrës”. Sëmundja nuk e lejoi që të zhvillonte 80-vjetorin e daljes për herë në parë në skenë, plan të cilin e tregoi Fadil Kraja.

“Para dy javësh hartuam një plan për të organizuar 80-vjetorin e debutimit të tij të parë si këngëtar, kur ishte vetëm 12 vjeç. Kish sjellë me vete edhe një këngë për Shkodrën, kish bërë edhe tekstin dhe muzikën e kësaj kënge dhe dëshironte ta këndonte vetë sepse siç shprehej ai, ia kam borxh Shkodrës një këngë që të jetë vetëm e imja. Bik Ndoja që kish kënduar mbi 1 mijë këngë shkodrane, shqiptare, kosovare, të Shqipërisë së mesme deri edhe këngë me iso të jugut mendonte se ishte borxhli ndaj qytetit të tij. E kush e mendonte se ai do të ishte takimi i fundit me Bik Ndojën. Shkodra ishe ti, sot Shkodra je ti, nesër dhe deri në perjetësi Shkodra do të jesh ti sepse kënga shkodrane është sinonim i Bik Ndojës dhe ashtu si nuk vdes kjo këngë nuk vdes as Bik Ndoja”.
 

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ Napoli rikthehet në krye të Serie A, Lukaku mposht 1-0 Romën! Ranieri rikthim me humbje

VIDEO/ Napoli rikthehet në krye të Serie A, Lukaku mposht 1-0 Romën! Ranieri rikthim me humbje