Ndërsa prej 2 vjetësh ka pezulluar thuajse tërësisht dhënien e lejeve të ndërtimit, më datë 9 shtator 215 “Këshilli Kombëtar i Territori vendosi miratimin e Lejes së Ndërtimit për ‘Godinë banimi dhe shërbimesh 9 kat mbi tokë 2 kat parkim nën tokë’, me vendndodhje në Rrugën e Kavajës, Bashkia e Tiranës, me subjekt kërkues ‘Parc Construction’shpk’”.
Shoqëria është themeluar në vitin 2005 nga Mihal Delijorgji, me aksionerë dy kompani të regjistruara vende “offshore”, dhe që prej vitit 2008 administrihet nga bashkëshortja e biznesmenit, Vjollca Delijorgji.
Parajsat fiskale
Nga të dhënat e Qendrës Kombëtare të Regjistrimit rezulton se “Parc Construction Sh.p.k.”, nuk e ka ndërprerë për asnjë çast aktivitetin, edhe pas hyrjes në burg të Mihal Delijorgjit, në vitin 2008. Ashtu si në çastin e themelimit, aksionerë të saj rezultojnë dy shoqëri të regjistruara në vende të njohura si parajsa fiskale, përkatësisht në Ishujt Britanikë të Virxhinias dhe në Liberi. Pjesa më e madhe e aksioneve të shoqërisë (51%) zotërohet nga “MANDALAY GROUP HOLDINGS CORP”, një kompani e regjistruar në shtator të vitit 2004 në British Virgin Islands.
Kompania rezulton e regjistruar në emër të shtetasve me kombësi greke Georgios Joannidis (Drejtor i vetëm) dhe Aikaterini Donta. Ndërkohë që kompania tjetër, “BRAMMER VENTURES CO.LTD”, rezulton e regjistruar në emër të Mihal Delijorgjit (ortak i vetëm) në Liberi më 11 mars të vitit 2005. Në qershor të vitit 2013, QKR ka regjistruar si ortak të vetëm të “BRAMMER VENTURES CO.LTD”, Kristo Delijorgji, vëllanë e biznesmenit të njohur, por ky ndryshim nuk shoqërohet më dokumentin përkatës nga Liberia, ku vazhdon të jetë e regjistruar kompania.
Lejet e ndërtimit
Leja e dhënë për llogari të “Parc Construction Sh.p.k.”, vjen në një moment kur prej dy vjetësh Qeveria mban thuajse të bllokuar procesin e dhënieve të lejeve të ndërtimit. Qeveria e ka argumentuar bllokimin e tyre me domosdoshmërinë për të normalizuar tregun e ndërtimit, si dhe korrupsionin e bërë me to. Ndërkohë që në gusht 2015, ishte Bashkia e Tiranës ajo që mori vendimin për të bllokuar për një vit lejet e ndërtimit, si dhe verifikimin e lejeve të dhëna nga ish-kreu i saj Lulzim Basha.
Sipas kreut të ri të Bashkisë së kryeqytetit, lejet do të mbeten të bllokuara deri në përfundimin e planit të ri urbanistik për kryeqytetin, i cili do të hartohet në bashkëpunim me Ministrinë e Zhvillimit Urban. Veliaj paralajmëroi gjithashtu edhe pezullimin e lejeve të firmosura nga paraardhësi i tij Lulzim Basha deri në verifikimin e tyre jo vetëm me procedurat ligjore, por edhe me planet zhvillimore të zonave ku ato janë dhënë.
(Vendimi për regjistrimin për regjistrimin e shoqërisë tregtare "Park Constuction")
(Ekstrakti në QKR i kompanisë )