HAS- Isa dhe Myrteza Qarri nga fshati Qarr i Komunës Golaj, në rrethin e Hasit, kanë humbur kontaktet me familjarët e tyre që prej ditës së djeshme. Nga policia e Kukësit mësohet se Isa Qarri, 45 vjec dhe Myrteza Qarri, dje kishin hipur në malin Oklas për të rregulluar një antenë të një prej kompanive të telefonive celulare që operojnë në Shqipëri. Policia nuk bën të ditur emrin e kompanisë për të cilën punonin kushërinjt Qarri.

Që prej ditës së djeshme telefonat e tyre kanë dalë të mbyllur dhe familjarët të shqetësuar, për shkak dhe të reshjeve të dendura të dëborës kanë kërkuar ndihmën e policisë.

Policia e Kukësit konfirmon se forca të policisë dhe të ushtrisë janë nisur në kërkim të tyre.
(sg/shqiptarja.com)