Për të siguruar provat e nevojshme, nga ana e Prokurorisë së Elbasanit është urdhëruar në muajin dhjetor 2016 ekspertiza e ADN-së për prindërit e të dyshuarit Hasanpapaj. Nga ekspertiza, rezultoi se ADN-ja e gjetur në vendin e ngjarjes lidhet me shtetasit Qemal dhe A. Hasanpapaj (prindërit e të dyshuarit) në raportin “nënë-bir” dhe “babë-bir”.

Në bazë të analizës gjenetike, por edhe në bazë të provave të tjera të përfituara gjatë hetimit të deritanishëm, janë krijuar dyshimet e arsyeshme se autori i ngjarjes së datës 6 qershor 2016 në Elbasan është shtetasi Shkëlzen Hasanpapaj. Ndaj këtij shtetasi është nxjerrë urdhëri i kërkimit ndërkombëtar, pasi rezultonte se ai ishte larguar jashtë Shqipërisë.

Prokuroria e Elbasanit tha në atë periudhë se Shkëlzen Hasanpapaj, personi i arrestuar në Hollandë për atentatin kundër Bledar Muçës dhe Florenc Çapjas, është larguar jashtë shtetit menjëherë pas kryerjes së krimit. Kjo deklaratë del bllof me atë që ka thënë policia e këtij qyteti në muajin qershor 2016, e cila njoftonte në atë kohë Shkëlzen Hasanpapaj ishte arrestuar në 22 qershor, pra 16 ditë pas atentatit dhe më pas është liruar nga gjykata e Elbasanit, pasi akuza ndaj tij nuk ishte për vrasje, por për “Drejtim mjeti pa leje drejtimi”.

Sapo është liruar nga qelitë e policisë së Elbasanit,19-vjeçari është larguar nga shqipëria, duke u arrestuar 8 muaj pas sulmit me kallashnikov ndaj Bledar Muçës dhe Florec Çapjas. Autoritetet policore hollandeze kanë ekzekutuar urdhër-arrestin e lëshuar nga Prokuroria e Elbasanit, për shtetasin i Shkëlzen Hasanpapaj, që në atë kohë ishte i dyshuar për veprat penale të “Vrasjes në rrethana cilësuese”, mbetur në tentativë dhe “mbajtje pa leje e armëve luftarake”.

Ndaj Hasanpapaj, me kërkesë të Prokurorisë së Elbasanit, gjykata e qytetit ka vendosur në “Nëntor 2016” masën e sigurisë “arrest në burg”,pasi dyshohet se, paraditen e datës 6 qershor 2016, në qytetin e Elbasanit,përballë ish-kirurgjisë ka qëlluar me armë në drejtim të automjetit tip “Golf 5”, duke plagosur brenda tij shtetasin Bledar Muça, si dhe është plagosur shtetasja M.Kermezo, punonjëse policie, e cila, në momentin e ngjarjes, ka qenë rastësisht si këmbësore aty.  

d.c./shqiptarja.com