Hashim Thaçi nga Haga i shkruan Ramës për fitoren: Bëre Shqipërinë vendin për të cilin unë u betova që do luftoj! Kujdesu njësoj dhe për Kosovën

Hashim Thaçi nga Haga i shkruan Ramës për fitoren: Bëre Shqipërinë vendin për të cilin unë u betova që do luftoj! Kujdesu njësoj dhe për Kosovën

Kryeministri Edi Rama dhe ish-presidenti i Kosovës Hashim Thaçi

TIRANË- Fitorja e mandatit të tretë të socialistëve ka depërtuar brenda mureve të qelisë së paraburgimit të Hagës, aty ku ndodhet prej muajsh i burgosur, ish- presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, miku i kryeministrit Edi Rama. Ky mesazh i Hashim Thaçit vjen në një momoment kur Kryeministri aktual i Kosovës, Albin Kurti dhe Presidenti i Serbisë, Vuçiç janë të vetmit në rajon që nuk e kanë uruar Ramën. 

Për Thaçin, kjo fitore i ka rikthyer buzëqeshjen që e kishte humbur prej kohësh, brenda atyre mureve të ngushta të asaj dhome. Thaçi ka zgjedhur t’i thotë fjalët më të ndjera, duke e lavdëruar për punën e bërë me Shqipërinë. Kjo Shqipëri nën drejtimin e Edi Ramës, për Thaçin është “është vendi për të cilin ai u betua që të luftojë”. Në fund, ka një kërkesë, që të kujdeset për Kosovën ashtu siç po kujdeset për Shqipërinë.

“Dhomat e ngushta e muret e qelisë së Hagës nuk e përmbajnë dot shpërthimin e entuziazmit tim për fitoren tënde. Entuziazëm ky që vështirë gjen vend në zymtësinë e vetmisë së ditëve të burgut. Por, si rrallë herë kohëve të fundit, sot jam i lumtur dhe i qetë për fitoren tënde, vëllau im.

Sot, dielli ngrohte zemrën e Shqiptarit brenda meje.  Sot, për Shqipërinë kam mall, dashuri, e nostalgji. Sot, si jo-rrallë herë kohëve të fundit, u fundosa i buzëqeshur në dallgët e kujtimeve të lavdishme të ditëve të luftës. U kujtova për ata që luftuan me mua, ata që ranë që lirinë ta sjellin mes nesh, dhe krejt atë çka idealizuam aq shumë për Shqipërinë, sa u betuam të jepnim edhe jetën për çlirimin dhe bashkimin e trojeve Shqiptare. Ky ishte betimi im dhe i shokëve të mi si ushtarë të UÇK-së, betim e luftë që sot më mban të qëndroj kokë-lartë e me ndërgjegje qetësisht të pastër përballë të panjohurës.

Me gjithë ndërgjegjen e pastër e luftën e dinjitetshme për t’u bashkuar me Shqipërinë, mu kujtua se vetëm atëherë kur Kosova u çlirua, ne e kuptuam se bashkimi ishte larg dhe i pamundshëm. Shqipëria e poezive dhe librave ishte dëshirë e ideal, e jo pasqyrë e realitetit të kohës.  Unë edhe kam luftuar për kët’ ideal me Kosovën brenda Shqipërisë. Kur mundësitë u kufizuan, unë luftova për Kosovën shtet - krenarinë e jetës time.

 Jam munduar shumë për Kosovën, por edhe kam gabuar - dikur me entuziazmin e idealistit, e më vonë me arrogancën e pushtetarit. Ama, vëllau im Edi, kurrë s’kam gabuar me raportin të cilin kemi krijuar bashkë. Ti je vëlla i ditëve të vështira, e shok i ditëve të bukura. Je Kryeministri i Shqipërisë që idealizova, dhe vëllau shqiptar për të cilin me entuziazëm luftova. Sot, Shqipëria që ti aq shumë punove ta ndërtosh, është Shqipëria për të cilën dikur u betova të luftoj. Është Shqipëria e poezive të Naimit - Shqipëria me malet e bukura e lisat e gjatë që sot, në tavanin e qelisë së burgut, më vizatohen e më rrin n’mend dit’ e natë.

Pra, vëllau im Edi, ti që bëre Shqipërinë të cilën e idealizova si i ri e u betova si ushtar, po të them i bindur se fitoren tënde e gëzojnë shqiptarët. Me ta, u gëzova edhe unë pa masë.

Prandaj, me librat që më shoqërojnë në vetminë e këtyre ditëve ku koha refuzon të nxitojë, unë të përqafoj dhe uroj vëllazërisht nga larg për shkak të pamundësisë për të festuar bashkë. Është e shëmtuar që nuk mund të jem aty, por përtej afshit revolucionar të kujtimeve të mia si ushtar dhe pragmatizmit prej politikani që m’godet herë-pas-here në formë kujtimesh, sot nuk të uroj si miku me të cilin ndave copa të rrugëtimit politik, por si vëllaut tim nga gjaku.  Me shpresën që do të mund të takohemi përsëri duke frymuar nën qiellin e bukur dhe diellin që ngroh Shqipërinë dhe Kosovën, po të uroj të vazhdosh të japësh gjithçka nga shpirti yt për Shqipërinë. Kjo sepse edhe kur në ditët ku drita e diellit nuk depërton në muret e mbyllura të qelisë, dielli ngroh zemrën time vetëm at’herë kur Shqipëria dhe Kosova janë mirë.

Sot Shqipëria fitoi! Sot shqiptarët janë mirë. Kujdesu për Shqipërinë, vlla, dhe mos harro që t’kujdesesh edhe për Kosovën. Kur ti kujdesesh për Kosovën, ti kujdesesh edhe për shqiptarët”, shkruan ai.

Më herët, Rama i dërgoi një mesazh të gjatë, ku e uroi për ditëlindjen e 53-të.

B.K./K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Shqip: 27/04/2021 23:58

    Two Kings!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare: Ai është i shqetësuar nga përshkallëzimi i konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës

Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare: Ai është i shqetësuar nga përshkallëzimi i konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës