Ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Haxhi Shala dhe Sabit Januzi, janë deklaruar fajtorë të mërkurën para Gjykatës Speciale në Hagë për akuzën e frikësimit të dëshmitarit dhe pengimit të drejtësisë.
Të dy e bënë këtë deklarim më 18 dhjetor në kuadër të një marrëveshjeje për pranimin e fajësisë me Prokurorinë e Specializuar, ku Shala u pajtua edhe për një dënim me burgim deri në tri vjet, ndërsa Jonuzi u pajtua me një dënim prej 24 deri në 30 muaj burgim.
Ata thanë se kanë pranuar marrëveshjet pa ndonjë detyrim dhe me vullnet të lirë si dhe që nuk do të apelojnë vendimet e dënimeve të tyre nëse ato do të jenë sipas marrëveshjes apo më të ulëta.
Prokuroria e Specializuar në Hagë akuzon Shalën se kreu veprën në bashkëpunim me Sabit Januzin dhe Ismet Bahtijarin, i cili gjithashtu ka bërë një marrëveshje të fajësisë e cila do të shqyrtohet në gjykatë më 19 dhjetor.
“Kur jam deklaruar jo i fajshëm, nuk kam qenë i intervistuar nga Prokuroria dhe nuk kam qenë i informuar se për çfarë është fjala. Tani deklarohem fajtor për çfarë thuhet në marrëveshjen e fajësisë”, tha Shala gjatë deklarimit të tij në Gjykatë.
“Sa më i ulët dënimi, aq më mirë”, tha po ashtu Shala gjatë deklarimit të tij në gjykatë.
Ndërkaq, Jonuzi u përgjigj shkurt “fajtor”, në pyetjen e panelit gjyqësor se si deklarohet për akuzat me të cilat ngarkohet.
Brenda kësaj marrëveshjeje, për Shalën propozohet një dënim deri me tri vjet burgim, në të cilin llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.
Shala u arrestua më 11 dhjetor 2023, dhe një ditë më vonë u transferua në qendrën e paraburgimit në Hagë.
Januzi u arrestuan më 5 tetor 2023 dhe prej atëherë është mbajtur në paraburgim në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Në rast se paneli gjyqësor pranon këtë marrëveshje të palëve dhe në rast se dënimi për Shalën do të jetë tre vjet burgim ose më i ulët, palët nuk do të kenë të drejtë apelimi.
Në anën tjetër, edhe Ismet Bahtijari arriti një marrëveshje të ngjashme për pranim të fajësisë, sipas njoftimit të 18 dhjetorit. Kjo marrëveshje pritet të shqyrtohet nga gjykata në një seancë më 19 dhjetor.
Çfarë akuza pranuan Shala dhe Jonuzi?
Në dy marrëveshjet e fajësisë është theksuar se në periudhën midis 5 dhe 12 prillit 2023, Shala, bashkë me Sabit Januzin dhe Ismet Bahtijarin kontaktuan një dëshmitar.
Tutje thuhet se dëshmitarit iu bënë vizita në shtëpinë e tij dhe iu ofruan benefite në këmbim të tërheqjes së dëshmisë së tij.
Sipas Prokurorisë, vepra në grup u krye nën direktivën e Shalës.
Deri më tani, nuk është bërë publike se për cilin dëshmitar bëhet fjalë, apo në cilin rast ka dëshmuar ai.
Dhomat e Specializuara të Kosovës deri më tani kanë shpallur dy aktgjykime për pengim në administrim të drejtësisë.
Dy ish-figura të Organizatës së Veteranëve të UÇK-së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, janë dënuar për pengimin e drejtësisë deri tani.
Ndërkaq, më 6 dhjetor 2024 Gjykata Speciale në Hagë konfirmoi një aktakuzë të re kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, si dhe kundër katër personave të tjerë për vepra penale që lidhen me “pretendime për përpjekje të paligjshme për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve në gjykimin e krimeve të luftës Thaçi dhe të tjerët”.
Dhomat e Specializuara të Kosovës thanë se aktakuza u konfirmua kundër Hashim Thaçit, ish-ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ish-shefit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Bashkim Smakaj, ish-kryetarit të Malishevës, Isni Kilaj, dhe Fadil Fazliut.
Ndërkohë, Specialja ka shqiptuar edhe dy aktgjykime për krime lufte.
Gjykata Speciale u themelua në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës dhe është pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por vepron me personel ndërkombëtar dhe ka selinë në Hagë.
Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.
Aktualisht, në Dhomat e Specializuara janë duke u zhvilluar disa raste gjyqësore, përfshirë edhe rasti ndaj ish-krerëve të UÇK-së – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi – që akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit./ REL