Ish-truproja e Sali Berishës tashmë në azil në Turqi, Izet Haxhia i përgjigjet akuzave të ish-shefit të tij të bëra në Kuvend, ku teksa sulmon Blushin se i referohej ish-badigardit, thotë se është një vrasës i denoncuar dhe i dënuar me 20 vite burgim. Kjo s’është kapërdirë nga Haxhia, teksa është shprehur se nëse do të vendoste ndonjë ditë to bëhej vrasës, “karrierën” do ta fillonte me Sali Berishën. 

“Dua të them diçka, nuk jam vrasës as kriminel, por po vendosa të bëhem i tillë, prèja e parë do të jesh Ti o plak matuf dhe i lig, edhe pse është në kundërshtim me Kanunin e Lekës që ti doje të na e bëje kushtetutë”, ka qenë reagimi i fortë i Izet Haxhisë ndaj akuzave të Berishës të bëra tre ditë më parë në Kuvend.

Ai në një postin në facebook shprehet se nuk i ka ndjekur ndonjëherë seancat e parlamentit të krimit “e aq më tepër fjalimet e tipit Kastro të komunistit të fundit në Evropë, të kryekriminelit të Shqipërisë, përçarësit të këtij populli, dhëndrit të devotshëm të Serbisë. Më thanë ca miq që të ka përmendur emrin në fjalën e tij të marrëzisë e mashtrimit që me 'qetësi e dashuri' e ligjëron çdo të enjte pa ia prishur terezinë njeri. Nuk më habit as më shqetëson epiteti që më vë një vrasës i tillë. Më quan vrasës për një krim që ka bërë vetë. Vërtetë mund të isha bërë vrasës sepse të jesh pranë për vite dhe t’i shërbesh një psikopati-skizofren, shumë kollaj mund të përfundosh në një vrasës. Ka dashtë zoti që nuk përfundova i tillë. Për këtë jam i qetë”, shprehet Haxhia në postin e tij, ku deklaron se më në fund e ka marrë vesh se kush ka qenë ai që ka dhënë dëshmitë rremë kundër tij për ta dënuar më pas.

“Ky matuf i pabesë tregon duke i bërë autogol vetes se ai më paska denoncuar dhe me dëshminë e tij jam shpallur vrasës e dënuar nga gjykata e tij e plep-istave si i tillë. Dua t’i them këtij matufi të pabesë se unë e kam ditur që kur e ke bërë denoncimin tënd si një frikacak i lig që je, në ambasadën amerikane në vitin ‘99, për mua dhe vëllezërit e mi. Kushti yt për këtë denoncim të rremë ka qenë që denoncimi ku më fajësoje mua të ngelej i fshehtë dhe të mos përmendej emri yt si denoncues.

Vetëm denoncimi yt ndaj vëllezërve të mi do publikohej emri yt si denoncues. E bërë këtë denoncim si frikacak që je pasi vrave Fatmir Haklajn që në të gjallë s’guxoje t’ia përmendje emrin, ashtu sikur nuk guxon sot t’i e kolegët e tu t’i përmendni emrin kriminelëve më të rrezikshëm që bëjnë mbrojtjen tuaj dhe po bëjnë kërdinë duke terrorizuar që nga njerëzit e thjeshtë e deri te biznesi, duke u vënë gjoba, duke vrarë gjykatës për çështje pronash, pronarë bankash që pastronin paratë e tua e të birit tënd të fituara me krim e gjoba të vëna”
, ka akuzuar fort Haxhia. 

​Duke nënvizuar se Sali Berisha përmend vetë emrat e ushtarëve të tyre, por jo të bosëve të tyre mafioze.

“Ti i di shumë mire emrat e tyre, sepse karrierën e tyre kriminale e kanë filluar në sundimin tënd. Nuk ua përmend sepse je një frikacak i pështirë, dhe ngaqë mendon t’i përdorësh nesër për interesat e klanit tënd kriminal. Leh si një qen i tërbuar duke shpifur dhe kafshuar me ata dhëmbët e tu të prishur, kafshim që ka infektuar një popull të tërë. Por mire ua bën, kur përballë teje ka vetëm eunukë të tredhur që mendojnë vetëm si të të kalojnë ty në vjedhje e pasurim të paligjshëm. Si përfundim dua të them diçka-nuk jam vrasës as kriminel, por po vendosa e bëhem i tillë, prèja e parë do të jesh Ti o plak matuf e i lig, edhe pse është në kundërshtim me Kanunin e Lekës që ti doje të na e beje Kushtetutë”, shkruan Izet Haxhia.

Redaksia Online
(E.Ç./shqiptarja.com)