Tiranë, 21 Qershor/ATSH/.- Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto, gjatë inspektimit sot në Bazën e Shërbimit të Mjeteve të Lëvizshme ne sektorin e hekurudhës shqiptare prane zonës së plazhit në Durrës, theksoi se "do ta ringjallim hekurudhën shqiptare"..
"Jemi këtu është për të parë se çfarë farë potenciali të jashtëzakonshëm ka hekurudha për t'u ringjallur dhe për të ofruar ato shërbime të nevojshme që ka zhvillimi i sotëm i vendit. Nga vizita këtu ështe shumë evidente që është trashëguar një bazë mekanike, teknike e rëndësishme, e cila është lënë në degradim te plotë, por me drejtimin e ri të hekurudhës shqiptare kjo bazë po vihet në lëvizje dhe ka një potencial të jashtëzakonshëm së pari për t'i shërbyer mjeteve që sot janë në shërbim nga hekurudha si për mallrat ashtu dhe për pasagjerët, por edhe për nesër për të pasur mjete të reja", tha Ministri Haxhinasto gjatë vizitës në këtë bazë.
Investimet në sektorin hekurudhor, vijoi Haxhinasto, nuk mund të ndodhin gjatë një viti dhe të përfundojnë, por janë investime komulative. "Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës e ka prioritet çështjen e investimeve në hekurudhë dhe po shikojmë gjithë mundësitë tona të brendshmë për ta ringjallur hekurudhën, por jemi gjithashtu të hapur edhe për bashkëpunime strategjike me investitor të ndryshëm, jemi të hapur për të dhënë kontrata konçesionare për segmente të ndryshëm të hekurudhës si dhe për forma të ndryshme si Partneriteti Publik dhe Privat", u shpreh Haxhinasto.
Ministri Haxhinasto tha se "një prioritet madhor përbën realizimi i trekendshit hekurudhor Tiranë-Rinas-Durrës për të cilën është duke u realizuar projekti i detajuar dhe besoj se në të ardhmen e afërt do të shikojmë edhe mundësinë e investimit të saj".
"Po kështu një prioritet përbën edhe përmirësimi i linjës midis Durrësit dhe Pogradecit duke parë edhe potencialin e lidhjes me Maqedoninë. Prioritet gjithashtu përbën edhe lidhja e Durrësit me Bajzën dhe më lartë me Malin e Zi, të cilat janë linja kryesisht për trajtimin e mallrave dhe që kanë filluar t'i sjellin të ardhura të konsiderueshme hekurudhës shqiptare", nënvizoi Haxhinasto.
Ministri Haxhinasto theksoi se "jemi duke e parë hekurudhën me gjithë vemendjen e duhur, veçanërisht potencialin e jashtëzakonshëm që ajo ka për Shqipërinë, për lidhjet me fqinjët por edhe për gjithçka tjetër që ka të bëjë me punësimin e njërëzve pasi duke përmirësuar kapacitetet këtu, 161 punëtorë që janë aktualisht mund të bëhen 300 punëtorë nesër dhe të arrijnë të krijojnë vlera shumë më të mëdha". "Duhet të vendosim këtë sistem të krijimit të vlerës, i cili më pas punëson njerëz dhe gjithashtu krijon vlerë më të madhe duke i shërbyer hekurudhës, duke i shërbyer vetë punonjësve", përfundoi Ministri Haxhinasto./k.s/a.g/