TIRANË - Ministri Transportit dhe Infrastrukturës Edmond Haxhinasto mori pjesë në prezantimin e veprimtarisë vjetore të Institutit të Transportit, zhvilluar në ambientet e ministrisë.

Ministri e cilësoi Institutin e Transportit si kontribuues të reformave të MTI, duke u ndalur në mënyrë të veçantë te reforma që pritet të miratohet në parlament për transportin ndërqytetës, pa harruar edhe rolin e madh, në rritjen e konkurrueshmërisë së sektorëve të transportit dhe liberalizimi i tregut të shërbimeve.

Haxhinasto kërkoi angazhimin e Institutit të Transportit për produkte cilësorë në mbështetje të sfidave të politikëbërjes së ministrisë, veçanërisht gjatë procesit të planifikimit të infrastrukturës së transportit dhe ndërmarrjen e reformave thelbësore.

Kontribut më të madh, ky institut sipas Haxhinastos duhet ta japë në kuadër të integrimit rajonal, nëpërmjet liberalizimit të tregut dhe realizimit të detyrimeve në të procesit të integrimit.

“Instituti i Transportit duhet të kontribuojë në përmirësimin e shërbimeve të transportit drejt qëndrueshmërisë së tyre. Gjithashtu, rritja e konkurueshmërisë së sektorit të transportit, si sektor të ekonomisë, është një tjetër fushë ku “IT” ka treguar mbështetje e cila duhet vlerësuar”- u shpreh Ministri.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)