TIRANE- Në Kuvend pritet që së shpejti të shkojë një paketë e re masash ligjore e rregullatore për sigurinë në rrugë. Kjo është lajmëruar nga ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Edmond Haxhinasto në komitetin drejtues të LSI-së. Shkak për këtë paketë është bërë numri i madh i aksidenteve rrugore, e cila synon reduktimin e aksidenteve.

“Një sfidë e madhe për ne do të jetë rritja e sigurisë në rrugë që është një problem i madh kombëtar, pasi çdo ditë vdesin njerëz. Shifrat vjetore janë të përmasave të paimagjinueshme dhe për këtë shumë shpejt, javës tjetër do paraqisim një paketë të plotë me rreth 70 masa ligjore dhe rregullatore me qëllim që rrugët e Shqipërisë të jenë cilësore, të sigurta dhe jo të rrezikshme. Po kështu do të bëjmë një standardizim të infrastrukturës në aspektin ligjor, në aspektin rregullator, në aspektin e zbatimit të punimeve me qëllim që infrastruktura e Shqipërisë mos të ketë asgjë më pak se ajo e rajonit dhe ajo europiane”, tha Haxhinasto.

Dhënia e mirëmbajtjes së rrugëve me koncesion, si dhe përcaktimi i fakteve konkrete për ndërtimin e tyre, sipas ministrit janë pjesa kryesore e reformës në sistemin e transportit.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)