Procesi për ngritjen e institucioneve të reja në Kosovë nis sot me takimin që Albulena Haxhiu ka thirrur me drejtuesit e partive që fituan mandate në zgjedhjet e 7 qershorit. Takimi do të mbahet në orën 11:00 dhe ka për qëllim përgatitjen e seancës konstituive të Kuvendit, e cila është caktuar për më 6 gusht.

Javën e ardhshme pritet të formohet fillimisht Komisioni i përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe mandateve të deputetëve. Më pas deputetët do të duhet të bëjnë betimin, ndërsa në vijim pritet të zgjidhen kryetari dhe nënkryetarët e Kuvendit.

Haxhiu e caktoi seancën konstituive më 6 gusht, vetëm një ditë para skadimit të afatit ligjor prej 30 ditësh nga certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve. Ajo ka sqaruar se nuk e thirri menjëherë seancën për t'u lënë kohë partive politike që të zhvillonin dialog.

Vetëm pas konstituimit të plotë të Kuvendit nis zyrtarisht afati 60-ditor për zgjedhjen e Presidentit të Republikës.

Kosova zhvilloi zgjedhjet e parakohshme parlamentare më 7 qershor. Sipas rezultateve të certifikuara, Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit fitoi 53 mandate. PDK siguroi 22 ulëse, LDK 18, ndërsa Aleanca fitoi 7 mandate.

Për konstituimin e Kuvendit dhe zgjedhjen e Qeverisë së re nevojiten të paktën 61 vota në Kuvendin me 120 deputetë. LVV-ja, së bashku me partitë e komuniteteve joserbe, i ka votat e nevojshme për të dyja proceset.

Situata është pak më e ndërlikuar për zgjedhjen e presidentit. Në dy raundet e para të votimit duhet të jenë të pranishëm të paktën 80 deputetë, prandaj duhet një marrëveshje politike mes partive. Nëse arrihet një marrëveshje mes LVV-së dhe LDK-së, e cila ka 18 deputetë, do të siguroheshin të paktën 81 vota, të mjaftueshme për zhvillimin e votimit, gjithnjë nëse në sallë janë të pranishëm të paktën 80 deputetë 

Nëse presidenti nuk zgjidhet brenda 60 ditëve nga konstituimi i Kuvendit, organi ligjvënës shpërndahet dhe vendi shkon automatikisht në zgjedhje të reja. Nëse kjo ndodh, Kosova do të zhvillonte zgjedhjet e katërta parlamentare që nga shkurti i vitit të kaluar.