TIRANE- Kryeministri i vendit Sali Berisha, Kryetarja e Parlamentit të Austrisë Prammer, dhe kryetarja e parlamentit Jozefina Topalli, kanë qenë të pranishëm sot në inaugurimin e HEC-it të Ashtës. Në fjalën e tij shefi i ekzekutivit e cilësoi hidrocentralin e Ashtës si kryeveprën e energjitikës në Shqipëri. Sipas shefit te qeverisë ky hidrocentral është investimi më i madh që bëhet në Shqipëri në 30 vitet e fundit, për sa i përket fushës së energjisë. Ai premtoi se qeveria e tij është e angazhuar të krijojë në vend një klimë miqësore për investitorët e huaj.

“Ashta përbën një nga projektet më ambiciozë të shndërrimit të Shqipërisë në një superfuqi të vogël energjetike në rajon. Ashta është starti i parë për kompanitë austriake, ato janë të interesuara për investime të mëdha. Jam i vetëdijshëm për pengesat që kanë kapërcyer, por dua ti garantoj se do bëj gjithçka për të lehtësuar klimën e biznesit, për ta bërë vendin më miqësor ndaj investimeve të huaja. Kjo krizë e thellë që ka pllakosur ka vetëm një zgjidhje dhe kjo qëndron tek mbështetja e biznesit"- është shprehur kryeministri.

Nga ana tjetër në fjalën e saj Kryeparlamentarja austriake Prammer, duke shprehur kënaqësinë që ndodhej në përurimin e kësaj vepre madhore për Shqipërinë, theksoi se ndërtimit i HEC-i të Ashtës mat besimin e investitorëve austriak. “HEC-i i Ashtës është një projekt që flet për një besim të ndërsjelltë, një besim të ekonomisë e të energjisë austriake në ekonominë shqiptare, por edhe një besim të Shqipërisë në seriozitetin e sipërmarrjeve austriake. Jam e bindur që ky ka qenë një bashkëpunim i shkëlqyer, i cili do të vazhdojë edhe në të ardhmen", përfundoi ajo.

Hidrocentrali i Ashtës është ndërtuar përgjatë 30 muajve të fundit në veri të Shqipërisë, në afërsi të Shkodrës. Ky është investimi më i madh në 30 vitet e fundit në tregun shqiptar të energjisë. Në hidrocentralin e Ashtës do të prodhohen çdo vit në të ardhmen 240 milionë kwh energji elektrike, duke siguruar kështu furnizimin me energji të rinovueshme për 100 000 familje shqiptare.
(sg/eç/shqiptarja.com)