Forcat Ajrore, veçanërisht pilotët dhe helikopterët e Bazës Ajrore të Farkës vijojnë misionet e tyre humanitare në ndihmë të popullsisë së zonave të bllokuara nga reshjet e shumta të dëborës.

Edhe sot, pas informacionit të marrë nga kryetari i komunës Temal në Shkodër, në orën 12 e 30 minuta një helikopter ka kryer një mision fluturimi, në kushte tepër të vështira, për evakuimin e katër personave të sëmurë, dy prej të cilëve ishin fëmijë, nga fshati Vilë të kësaj komune për në Spitalin Rajonal të Qarkut Shkodër. Pas sistemimit dhe dhënies së ndihmës së parë, gjendja shëndetësore e të sëmurëve është përmirësuar dhe aktualisht mbahen nën kontrollin e mjekëve.
Ndërkaq, po ky helikopter ka marrë një infermier dhe një mami dhe i ka transportuar për në fshatin Shosh. Në kthim ka transportuar një të sëmurë nga ky fshat dhe e ka sjellë në spitalin e Shkodrës.

Gjithashtu, një helikopter tjetër i Forcave të Armatosura ka realizuar evakuimin e katër personave të sëmurë nga komuna Shëmri për në Spitalin Rajonal të Kukësit. Edhe për këta persona është dhënë ndihma mjekësore dhe gjendja shëndetësore e tyre është më e mirë.

Ndërsa, një helikopter tjetër ka fluturuar drejt fshatit Letaj të Kukësit, duke bërë të mundur evakuimin e një personi në gjendje shumë të rëndë shëndetësore për në Spitalin Rajonal të këtij qyteti. Gjendja shëndetësore e të sëmurit është nën kontrollin e mjekëve. ah/shqiptarja.com/