Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka zhbllokuar aktivitetin e kompanisë së kateringut (për ushqim) “Sori-Al”, i cili ishte ndërprerë pas helmimit të 64 studentëve të Akademisë së Sigurisë, në qershor të këtij viti.

Vendimi vjen pas përfundimit të analizave laboratorike, që sipas AKU-së rezultuan konforme me standardet e sigurisë ushqimore.

Sipas njoftimit të AKU-së, më 25 qershor 2026 u morën 14 mostra nga ushqimet e servirura gjatë drekës dhe darkës për studentët, si dhe pesë mostra tamponësh për kontrollin e higjienës së ambienteve dhe pajisjeve në Garnizonin “Skënderbej”.

Laboratori i Referencës në Institutin e Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë (ISUV) analizoi gjithsej 33 mostra për tregues mikrobiologjikë, të cilat rezultuan brenda normave të lejuara.

Në vijim të procedurave, subjekti “Sori-Al”, ndaj të cilit ishte vendosur më herët masa e ndërprerjes së aktivitetit, kreu analizat e vetëkontrollit për ambientet, pajisjet dhe punonjësit. Sipas AKU-së, edhe këto rezultate ishin në përputhje me kërkesat ligjore.

Më 10 korrik 2026, pas njoftimit të subjektit për rezultatet e vetëkontrollit, inspektorët e AKU-së zhvilluan një kontroll të ri në ambientet e kuzhinës dhe morën tre mostra të tjera tamponësh ambientalë, të cilat u dërguan për analizim në ISUV.

Pas konfirmimit se edhe këto analiza rezultuan konforme për kushtet e higjienës dhe sigurisë ushqimore, AKU vendosi të heqë masën e bllokimit të aktivitetit.

Si rrjedhojë, operatori i biznesit ushqimor “Sori-Al” është lejuar të rifillojë aktivitetin e gatimit dhe furnizimit me ushqim në kuzhinën që ndodhet brenda Garnizonit “Skënderbej”.

Helmimi i 64 studentëve në Akademinë e Sigurisë në muajin qershor, ishte rasti i dytë, pasi më herët gjatë muajit maj, u helmuan edhe 52 studentë të Akademisë së Sigurisë.

Njoftimi i AKU:

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit në vijim të informimit publik dhe transparencës bën me dije, se referuar çështjes për dyshim helmimi të disa kursantëve, pranë Akademisë së Sigurisë, Sauk ka kampionuar më datë 25 .06.2026,  14 mostra nga vakti i drekës dhe darkës,  në adresën Garnizoni “Skënderbej” Tiranë  14 mostra nga vakti i drekës dhe darkës, si dhe 5 mostra tamponë higjienë ambientale dhe të pajisjeve.

Nga laboratori i Referencës ISUV  jemi informuar, se nga analizimi në total i 33 mostrave për treguesit mikrobiologjik kanë rezultuar brenda normave.

Në vijim të ndjekjes se problematikes në subjektin “Sori-Al” në adresen Akademia e Forcave te Armatosura Garnizoni “Skenderbej”, për të cilin ishte marrë masë me ndërprerje aktiviteti,  subjekti Sori-al  ka bërë analiza autokontrolli tampone ambjental të ambjenteve, pajisjeve dhe punonjësve të cilat kane dalë konform kërkesave ligjore.

AKU më 10.7.2026 pas njoftimit të subjektit për rezultatet e analizave të vetëkontrollit , ka kryer inspektim në adresen Akademia e Forcave te Armatosura Garnizoni “Skenderbej”, gjatë së cilit ka marrë sërish 3 mostra tampon ambiental, të cilat u dërguan, për analizim pranë laboratorit të ISUV.

Me daljen e rezultatit të analizave konforme  për kushtet e higjienës dhe të sigurisë ushqimore, për mostrat kontroll zyrtar të kampionuara me datë  25.06.2026 dhe të mostrave të marra me datë 10.07.2026 në subjektin “Sori-Al” në adresen Akademia e Forcave te Armatosura Garnizoni “Skenderbej”, AKU ka kryer zhbllokimin e aktivitetit të subjektit ”Sori-Al”  dhe  OBU-së i  lejohet të vijojë ushtrimin e aktivitetit të gatimit te ushqimeve në ambientet e kuzhinës që ndodhet brenda ambienteve të Garnizonit “Skenderbej”.