Foto: Grigels Muçollari

Anëtari i kryesisë së PD, Grigels Muçollari ka reaguar pas helmimit të 64 studentëve te Akademia e Sigurisë. Në një deklaratë për mediat Muçollari shprehet se edhe pse pas helmimit të parë u tha se do të mereshin masa, duket se ky premtim nuk është mbajtur. Ai shprehet se nëse në Akademinë e Sigurisë nuk garantohet dot një vakt i sigurt për studentët, çfarë sigurie mund të presin qytetarët në shkolla apo spitale.

 “Kjo pas meje është Akademia e Sigurisë. Një institucion që, që në emër, premton siguri. Një institucion që duhet të përgatisë ata që do të garantojnë sigurinë e qytetarëve. Por pikërisht këtu mungon siguria më elementare: siguria ushqimore. Brenda vetëm dy muajsh kemi pasur dy helmime masive të studentëve, të cilët kanë përfunduar në spital për të marrë ndihmë mjekësore. Pas rastit të parë u premtuan hetime dhe masa. Por fakti që e njëjta ngjarje u përsërit tregon se ose nuk u morën masa, ose ato ishin tërësisht të paefektshme.

Nëse në Akademinë e Sigurisë nuk garantohet dot një vakt i sigurt për studentët, çfarë sigurie mund të presin qytetarët në shkolla, spitale, konvikte apo në çdo institucion tjetër publik? Çfarë besimi mund të kenë ata te një shtet që dështon edhe në detyrimet më bazë?”, thotë ai.

Sipas Muçollarit gjë ka ardhur si pasojë e një modeli qeverisjeje që ka humbur prioritetet dhe qytetarët përballen çdo ditë me shërbime publike që degradojnë.

“Ky nuk është një incident i izoluar. Është pasojë e një modeli qeverisjeje që ka humbur prioritetet. Një qeverisjeje që nuk është më e përqendruar te zgjidhja e problemeve të qytetarëve, por te ruajtja e pushtetit. Ndërsa studentët helmohen dhe qytetarët përballen çdo ditë me shërbime publike që degradojnë, energjia e qeverisë shpenzohet për të sulmuar protestuesit, për të delegjitimuar zërat kritikë dhe për të mbrojtur veten nga përgjegjësia.

Prandaj protestat nuk lindin nga propaganda e askujt. Ato lindin nga grumbullimi i dështimeve të përditshme. Nga qytetarë që shohin se shteti nuk arrin të garantojë as standardet më elementare, por gjen gjithmonë kohë dhe energji për t’u marrë me ata që protestojnë”, thotë Muçollari.

Në fund Muçollari thotë se siguria ushqimore nuk është luks, por është detyrim.

“Sot kjo qeveri është e përqendruar te ruajtja e karriges së pushtetit, ndërsa po lë bosh karriget e institucioneve. Institucionet nuk funksionojnë më si garanci për qytetarët, por si fasadë. Dhe koston e kësaj e paguajnë çdo ditë qytetarët.

Siguria ushqimore nuk është luks. Është detyrim. Ashtu si siguria, shëndeti dhe dinjiteti i çdo qytetari.Shqipëria ka nevojë për një qeveri që qeveris dhe mban përgjegjësi. Ndryshimi është i domosdoshëm, këtë e fakton dhe reagimi qytetar.

Prandaj protesta qytetare duhet të vazhdojë dhe çdo qytetar që beson në institucione funksionale dhe një shtet që mbron njerëzit, duhet t’i bashkohet. Ndryshimi do te vije te dashur qytetarë sepse gjithsecili prej jush po refuzon dështimin dhe po kerkon një Shqipëri më të mirë”, përfundon ai.


Lajmi kryesor:

Shkon në 64 numri i të helmuarve te Akademia e Sigurisë! Ndërpritet aktiviteti i Sori-Al, pyetet pronarja! AKU: Kryem kontrolle, morëm 14 mostra ushqimesh