Mbrëmjen e sotme në emisioni 'Pa Gjurmë' i është kushtuar një vëmendje e veçantë ngjarjes së rëndë të ndodhur në Librazhd ku si pasojë e helmimit nga fostoksina humbi jetën Rezarta Hajdari 19-vjeçe dhe shkoi në gjendje të rëndë bashkëshorti i saj Olsian Hajdari 27-vjeç.
Gazetari i Report Tv, Aldo Kozarja bën me dije se bluzat e bardha kanë konfirmuar se dy të rinjtë të cilët kishin vetëm 5 ditë që ishin martuar, janë helmuar me bar miu.
'Më kanë konfirmuar se bëhet fjalë për bar miu. Kjo i ka marrë jetën vajzës ndërsa ka çuar në gjendje të rëndë bashkëshortin e saj. Çifit nuk ka pasur konflikte të mëparshme. Nuk kanë gjetur asnjë ambalazh në dhomën e gjumit që të lihet dyshim se janë vetëhelmuar. Policia bazuar në dëshmitë e marra dhe provat materiale, ka ngritur dy pista, atë të vetëhlemimit dhe ajo e helmimit nga person i tretë. Megjithatë 27-vjeçari do të ketë pasoja. Pasi duhet një kohë e gjatë që i riu të jetë në gjendje të komunikojë.' tha gazetari Kozarja.
Ndërkohë në një lidhje telefonike për emisionin 'Pa Gjurmë', kryeplaku i fshatit Xhyrë, Enver Pali, ka deklaruar se çifti ishte në banesë dhe darkën e ka ngrën aty, më pas kanë shkuar në dhomën e tyre ku edhe janë gjetur, vajza e vdekur dhe djali i helmuar rëndë.
"Kanë qenë familje pa probleme. Nuk dimë më gjerë. Nuk kanë patur asnjë problem. U habitëm të gjithë fshati. Unë nuk di konflikte të kenë patur në fshat. Deri tani unë skam dëgjuar gjë për konflikte. Nuk e di tani. Jam habit. Nuk kam marrë informacion më tepër presim ekspertizën. As rreth shtëpisë nuk është gjetur gjë. Kanë darkën dhe kanë shkuar në dhomën e tyre. Kanë qenë në shtëpi më parë. Sot në mgjes e kemi marrë vesh. " tha kryeplaku.
Ndërkohë policia vijon hetimet për këtë ngjarje të rëndë. Me kalimin e kohës dhe me përmirësimin e gjendjes shëndetësore të Olsian Hajdarit, pritet që të merret edhe dëshmia e tij, që me shumë mundësi do të hedh dritë në zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje që i kushtoi jetën 19-vjeçares, Rezarta Hajdari.