TIRANE- Nuk i ka shpëtuar “çlirimit” nga gardhi rrethues as selia e kreut më të lartë të shtetit, ku është tentuar të imitohet kryeministri Rama, i cili muaj më parë hoqi kangjellat rreth godinës qeverisë. Duket se ethet e transparencës përfshinë dhe Presidencën, duke tentuar t’i tregojnë publikut dhe anën e padukshme të selisë ku qëndron Presidenti. Nga dje Presidenca hoqi kangjellat e larta rrethuese të oborrit, që do jenë të përgjysmuara, duke ofruar një pamje më të plotë të godinës. Prerja e kangjellave të Presidencës ka bërë që të reagojnë Artan Shkreli e Artan Lame.

Sipas Lames, reagimi i vjen në emër të “Forumit për Trashëgiminë” pasi janë monument kulture e ky është një akt barbar. Ata i bënë thirrje Presidentit Bujar Nishani të pengojë prerjen, ndërsa bënë me dije se për prishjen e rrethimit duhet të ishte njoftuar Instituti i Monumenteve pasi ky objekt përmban vlera historike e monumentale. “Prishja e kangjellave sjell shkatërrim të një objekti që përmban vlera historike dhe monumentale”, tha Lame. Ndërkohë më i ashpër ishte Shkreli që nuk e ka pritur mirë këtë veprim, sidomos të shtunën. “Presidenti besoj se nuk e di që po shkatërrohet.

Është zgjedhur dita e shtunë dhe pasi u shkatërrua një pjesë, po hiqet dhe rrethimi vetë. Nëse duhej hequr rrethimi duhej drejtuar nga Instituti i Monumenteve të Kulturës, që ka në mbrojtje aksin e bulevardit”, tha Shkreli. Ai i bëri thirrje Këshillit Kombëtar të Restaurimit dhe ministres së Kulturës Mirela Kumbaro të reagojnë, pasi është “ndërhyrje precedente që bëhet në bulevard e shkatërrojnë një rrethim, që nuk di çfarë t'i them veçse barbari. Është ulur injoranca këmbëkryq, ndërhyhet për të hequr pjesë të objektit që janë me leje dhe pjesë e arkitekturës”.

Ndërsa Lame ka sqaruar se nuk mund të veprohet njësoj si me Kryeministrinë, pasi rrethimi i godinës u hoq për ta kthyer atë në identitet, ndërsa Presidencës, sipas tij, po i dëmtohet identiteti. “Dua që sot që Presidenti i Republikës, që me siguri e merr vesh këtë prononcim, të pengojë shkatërrimin e kangjellave”, tha Lame. që theksoi se rrethimi nuk ishte kalbur, por “është e verifikueshme që ai është i shëndoshë si 6 dekada më parë. Flasim në emër të Forumit për trashëgiminë.

Ne po i bëjmë namim kryetarëve të komunave e bashkive kur prishen kangjellat e shtëpive private, ndërsa këtu prishen kangjella historike, pjesë monumentale. Këtu ka qenë ish-ambasada sovjetike ka një histori të tërë. Nuk mund të prishet vetëm se dikush ka vendosur të heqë kangjellat”, tha Lame. Rrethimi është pjesë e identitetit të godinës të Presidencës prej 6 dekadash.

Si u hoq rrethimi me hekura i Kryeministrisë
Një ditë pasi qeveria e re u vendos zyrtarisht në godinën e kryeministrisë është hequr muri rrethues me hekura rreth selisë.
Punëtorët kanë hequr e murin rrethues të Kryeministrisë duke e lënë atë pa pengesë me qytetarët që kalojnë aty pari. Vendimi ka qënë direkt i kreut të qeverisë, Edi Rama, në vijim të ndryshimit të ambienteve edhe brenda sallës së mbledhjes se kryeministrise.

Ndërkohë është ndërtuar tërësisht ambieneti para kryeministrisë, ndonëse ka pasur akuza nga ana e kundërshtarëve politikë herë për vendimin e marrë dhe herë për faktin nëse ëhstë më leje apo pa leje restaurimi para kryeministrisë pas heqjes së gardhit rrethues. Kangjellat u vunë për herë të parë më 21 shkurt 2004 kur opozita në atë kohë e drejtuar nga Berisha organizoi një protestë të madhe me rastin e përvjetorit të rrëzimit të bustit të diktatorit Enver Hoxha. Gjatë protestës nën moton ‘Nano ik’ u qëllua me gurë e armë dhe kryeministri i atëhershëm Nano mori vendimin menjëherë pas protestës për të ndërtuar gardhin rrethues. Opozita e aso kohe akuzoi Nanon se po e kthente kryeministrinë në bunker, ndërkohë që kur erdhi në pushtet e mbajti për tetë vite.


 Shkrimi u publikua sot (16.02.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)