Heqja e kalldrëmit/ Kumbaro: Gjirokastra do bëhet gur-gur dhe me shumë dashuri

Heqja e kalldrëmit/ Kumbaro: Gjirokastra do bëhet gur-gur dhe me shumë dashuri

Ish-ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro ka sqaruar vendimin për heqjen e kalldrëmit përgjatë pazarit të Gjirokastrës.

Kumbaro sqaron se heqja e kalldrëmit është i përkohshëm, si dhe për t’i hapur rrugë fillimit të punimeve për instalimin e një rrjeti të ri të infrastrukturës nëntokësore. Ajo thotë se ky kalldrëm është vendosur që nga vitet '70 dhe se që atëherë nuk ishte bëë më asgjë për mirëmbajtjen e tij.

Reagimi i plotë i Kumbaros:

Java nis me Gjirokastrën

Të dashur gjirokastritët e mi, kam marrë mesazhe e telefonata të shqetësuara nga Gjirokastra për punimet që po bëhen në kalldrëmet e Qafës së Pazarit dhe prandaj dua të ndaj me ju dy fjalë:

E kuptoj shqetësimin që sjell ndryshimi i menjëhershëm i zemrës së Gjirokastrës, njesoj si ajo vasha me flokë të gjatë që krejt papritur shkurton flokët.

Por të mos ngutemi o të uruar e të lëshojmë vrer se gjoja “u shkatërrua kalldrëmi nga të paudhët”…

Mos të harrojmë se bashkë kaluam me (pa)durim punimet e fazës së parë ku restauruam 8 blloqe në Qafën e Pazarit, rreth 6000m2 sipërfaqe restaurimi, nga çatitë te muret e dritaret, deri te detajet estetike të 60 objekteve, banesa e dyqane. Ky volum i madh pune u krye me mbeshtetjen e Fondacionit shqiptaro-amerikan per zhvillim.

Punuam, u lodhem, sakrifikuam ne Pazar, e di.

Ama, sot jemi krenarë për punën e bërë dhe Gjirokastra ka filluar t’ia ndjejë lezetin.

Tani, të dashurit e mi, kemi hyre në fazën e dytë, me programin e Bankës Botërore që po realizohet nga Fondi Shqiptar për Zhvillim, në hapësirat publike të Qafës së Pazarit.

Qafa e Pazarit, pjesë e trashëgimisë botërore UNESCO, është e ndarë në 10 blloqe.

Ky projekt i rrjetit të kalldrëmeve fillon nga sheshi “Çerçiz Topulli“ – Qafa e Pazarit, rruga deri në kryqëzimin e rrugës së Kalasë me Odeonin, rruga e Zejtarëve, Zigait dhe rruga e ish- Poliklinikës në hyrje.

Pjesa e kalldrëmit nga Sheshi “Çerçiz Topulli“ – Qafa e Pazarit, është një mozaik dekorativ me gurë të bardhë në qendër e të zinj në pjesët anësore.

Të gjithë e dimë që ky kalldrëm i stilizuar është vendosur rreth viteve ’70, pas një ndërhyrjeje restauruese në qafën e Pazarit. Por që atëhere s’është vënë më dorë në mirëmbajtjen e kalldrëmeve.

Ai kalldrëm e di sa ka vuajtur nga makinat me tangërllëk e nga autobuzët që merojnë këmbësorët.

Kjo ndërhyrje ishte e domosdoshme dhe ne nuk mund të mos e merrnim këtë pergjegjësi! E kemi nisur këtë punë 3 vjet më parë e do e mbyllim të plotë e me cilësi!

Që të jem më e saktë:

Punimet e kësaj faze po zhvillohen në disa segmente kryesore dhe konsistojnë në:

– Përfundimin e rrjetit sekondar të kanaleve të ujrave të zeza dhe në përfundimin e rrjetit kryesor;

– Punime me rrjetin e kanaleve të ujrave të bardha;

– Sistemimin e trasesë dhe shtrimin me çakull natyror;

– Vendosjen e pusetave dhe lidhjen. me njësitë;

– Shtrirjen e rrjeteve inxhinierike nëntokësore në trotuare;

– Pastrimin e territorit;

– Restaurime të nevojshme gjatë kryerjes së punimeve

Sa për KALLDRËMIN që e kemi të gjithë merak:

Proçesi i çmontimit të kalldrëmit ka filluar së pari me dokumentimin e hollësishëm të tij sipas rrugëve në cilat po kryhet ndërhyrja. Më pas është kryer çmontimi i tij manualisht dhe gurët përkatës janë magazinuar sipas rrugëve ku janë çmontuar.

Pas përfundimit të punimeve të infrastrukturës do të rivendosen shtresat e kalldrëmit, si dhe shtresat sipërfaqësore të gurëve duke u bazuar në dokumentacionet e hartuara më parë, për të respektuar konfiguracionin e viteve 70’.

Punimet po kryhen nga e njëjta firmë zbatuese që realizoi edhe restaurimin e objekteve në Qafë të Pazarit me shumë cilësi, t’i japim hakun që meriton! Edhe ju vetë ma keni thënë.

Dhe në fund, por jo për nga rëndësia, të gjitha sa thashë më lart, janë projekte të studjuara dhe më pas të miratuara në detaje nga UNESCO, dhe mbikqyren pa dyshim nga Instituti i Monumenteve të Kulturës dhe Ministria e Kulturës, sipas projektit të miratuar nga Këshilli Kombëtar i Restaurimeve.

Prandaj të durojmë pak muaj sa të mbarojnë punimet, dhe e di që tani, se do ta harrojmë këtë periudhë të vështirë e do t’i gëzohemi lëkurës së gurtë tradicionale të Gjirokastrës ashtu siç e kemi njohur gjithmonë, por të bërë nuse.

Sa për dashakeqët që helmojnë, atyre ua kuptoj hallin, po s’ua zgjidhim dot.

Gjirokastra do bëhet gur-gur dhe me shumë dashuri.

Foto e postuar nga Mirela Kumbaro

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë