SHENGJIN - Moratoriumi i skafeve ka pasur një ndikim negativ në zhvillimin e turizmit dhe shfuqizimi i këtij vendimi do të sigurojë më shumë zhvillim në Shëngjin. Reagimi ka ardhur nga kreu i komunës Shëngjin, Salvador Kacaj, sipas të cilit impakti do të jetë i menjëhershëm.

Kacaj ka bërë të ditur se tashmë pritet që në zonën turistike të Shëngjinit të ketë më shumë turistë, skafe dhe jahte, ndërsa do të ndikojnë në shtimin e të ardhurave jo vetëm për këtë njësi vendore, por për të gjithë operatorët turistik.

Përkundër faktit që përmend kreu i komunës, Salvador Kacaj, jahtet dhe skafet nuk kanë munguar në bregdetin e Shëngjinit, madje jo në pak raste ato janë përmendur edhe si pjesë e problematikës për pushuesit. Nëse moratoriumi ka ndikuar negativisht për të thithur turistë, sezoni i verës do të vërtetojë nëse ishte ky vendim që ka frenuar ardhjen e jahteve në Shëngjin apo mungesa e infrastrukturës që ka dhënë këtë ndikim.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)