Personalisht vazhdoj të kem përshtypjen se opozita në terësinë e saj është dukshëm përpara . Gjithsesi nuk është
qëllimi im në këtë shkrim të replikoj me perceptime. Për dreq nuk kemi sondazhe të besueshme që të shpëtojmë njëherë
e mirë në këtë pikë nga subjektivizmi.Dua të pohoj se nëse perceptimi i mësipërm ka një përhapje dhe peshë serjoze është gabim dhe, më tej, është disi fataliste që shkaku i tij t'u faturohet mediave dhe qëndrave të ndyshme të opinionbërjes. Dukuria duhet parë e analizuar shumë më thellë nga lidërshipi i opozitës, në funksion të një politike që do të mund të krijonte me shumë frymëzim dhe shpresë në vitin e mbetur deri në zgjedhjet e vitit 2013. Duhet parë me një sens realist reflektimi, korigjimi dhe dhe rinovimi të zgjidhjeve e sjelljes, jo duke qëndruar në format e vjetra e të rrumbullakosura të tipit " as ne nuk jemi të përsosur e të pagabueshëm", që është një mënyrë e keqe dhe aspak retroaktive reflektimi, por duke nxjerrë pa zhurmë e bujë mesime konkrete nga gabimet konkrete, që mendohet se kanë ushqyer psikozën e barazisë së opozitës me qeverinë apo të qënët e tyre anë të së njëjtës medalje. Rëndom, në periudha krize si kjo që jetojmë por edhe në periudha normale barazimin elektoral midis një qeverie në rutinë dhe një opozitë të motivuar "e garanton" konsumimi dhe degradimi i qeverisë. Përmbysjen dhe diferencën kuptimplotë në favor të opozitës, pra rrotacionin, e ka në dorë dhe e shënon alternativa e opozitës. Është i drejtë apeli i disa prej krerëve të opozitës aktuale për një pjesmarrje sa më masive të njerëzve në zgjedhje. Ata e dinë se me një rrezultat të ekulibruar apo me një avantazh të lehtë të opozitës, rrotacioni në sistemin manipulativ të Berishës është në fije të perit për të mos thënë se nuk ka shanse. Pjesmarrja masive mendohet se mundëson një fitore bindese, të paprekshme, që nuk mund të përmbyset. Mirëpo demi duhet kapur për brirësh jo per bishti.. Pjesmarrja është alternativë dhe frymëzim, sidomos frymëzim. Çeshtja e alternativës në është komplekse. Nuk është se njëra palë ka në dorë zgjidhje shumë të reja apo shpikje që nuk i ka pala tjetër. Alternativa në kohën tonë lëviz në hollësira, në nuanca, në diferencimin botëkuptimor, botëndijor dhe kulturor të lidërve dhe ekipeve. Në këtë kontekst, Edi Rama si kryetar i partisë me të madhe të opozitës dhe si kryeministër hije, duhet të manifestojë e forcojë parreshtuar profilin e tij si drejtues i tipit të ri, si fenomen intelektual në politikë, si politikan perendimor njëzet e katër karatsh. Ai duhet të jetë shumë i vëmendshëm për të mos imituar Berishën në pikat negative të këtij të fundit, rrjedhimisht për të mos ushqyer përshtypjen se thellë në shpirt ka si model suksesi pikërisht kryetarin e qeverisë. Nga Berisha ia vlen të merren disa vlera që lidhen me talentin e tij në krijimin e koalicioneve apo me persistencën në ushtrimin e pushtetit, por kurrsesi të imitohet ai në çeshtje kyçe që kanë përcaktuar profilin e tij si politikan i paintegrueshëm në vlerat e sistemit demokratik. Motivi i ri i kësaj promemorje për shefin e opozitës është përgjigja që i ka dhënë ( përgjigje i thënshin) në gazetën "Shekulli" pyetjes së mëposhtme: Po hyjmë në një vit elektoral, si paraqitet situata reale në PS, a kemi skicuar në mendje një ekip bashkëpunërorësh me të cilët do të hyni në këtë sfidë?
Pyetja është kyçe, sëpari sepse e kthen të pyeturin nga fushëbeteja me kundërshtarin në kantierin e vet, ku eventualisht po përgatitet e nesermja e pushtetit të ri. Është kyçe edhe për faktin se muajt e fundit sjellja e zotit Rama ka lenë disa hije në lidhje me propozimet apo mospropozimet e tij, kur opozita është thirrur nga ligji apo rrethanat të nxjerrë emra për poste të larta. Sigurisht, lexuesi serioz as pretendon, as pret që Rama të pohojë që tani se ka skicuar një listë e ca më pak të thotë emra. Por ky lexues pret që shefi i opozitës, në përgigje të pyetjes që i është bërë, të shpalosë konceptin e vet për drejtimin dhe kriteret bazë për ekipin dhe ekipet me të cilët PS synon të fitojë e sendërtojë Rilindjen Shqiptare. Në fund të fundit, lexuesi pret edhe një "Jo" të thatë nëse Iipyeturi nuk është ende gati dhe këtu nuk do të kishte asgjë të keqe. Por çuditërisht pyetjes " a keni skicuar një ekip me të cilin…" , Rama i përgjigijet pak a shumë kështu: PS nuk ka ardhur si në një fushë me lule por nga një rrugë jashtëzakonisht e vështirë trevjeçare në opozitë me një qeveri të kthyer në rregjim. Janë tre vite mundi e sakrificash të mëdha për të qëndruar drejt në kushtet kur gjithë ngrehina e rrezistencës së shoqërisë ndaj pushtetit është thuajse shpërbërë krejtësisht vit pas viti. PS ka qëndruar drejt dhe ka mbetur faktikisht e vetmja pengesë…Shoqëria civile është zhdukur…Bota mediatike është kapur për fyti…Sipërmarrja tërhiqet zvarrrë…Ndërkombtarët duket sikur pajtohen më lehtë se më parë me paudhësitë e qeverisë shqiptare. Jo më kot kryeministri harxhon më shumë kohë e fjalë për të sulmuar PS-në dhe mua personalisht. Jemi një pengesë që ai nuk e kalon dot në marrëzinë e tij për pushtet absolute. Jemi e vetmja shpresë reale për kthimin e Shqiëprisë në rrugën e duhur. Kushdo që lidh pyetjen me përgjigjen, do të sjellë në mendje shprehjen e njohur shkodrane " Puna e mbarë Pepë/ Po mbjell do qepë". S'kanë lidhje. Gjejmë këtu një arratisje tipike të politikanëve shqiptarë nga pyetja së cilës nuk duan t'i përgjigjen. Edhe në Europë ndodh që politikani nuk ka përgjigje ose nuk don t'i përgjigjet një pyetjeje të caktuar dhe për ketë thotë shkurt "no coment", ose " kaloni në pyetjen tjetër, ju lutem". Por nuk ndodh kurrë të thurë një çarçaf me fjalë tjetër për tjetër pasi kjo është arrogancë dhe fyerje për gazetarin e publikun. Por nuk mbaron këtu. Heshta kyçe për pyetjen kyçe e ka megjthatë një përgjigje. Gjithë ai autohimnizimi politik, duke nënvleresuar morinë e faktorëve të tjerë të shumtë që i janë kundërvenë dhe vazhdojnë t'i kundëvihen paligjshëmërisë dhe korrpsionit, që i kanë dhenë dhe vazhdojnë t'i japin përmasa të reja opozitarizmit, tradhëton mendimin se ekipi do të jetë një gjë personale e atij dhe atyre që kanë vuajtur e sakrifkuar kaq shumë këto tre vjet! Rama mund të mos e mendojë kështu, por logjika e brëndshme e tekstit të çon në këtë përfundim. E kam nënvizuar me dhjetra herë se PS është shtylla e opozitarizmit; ajo është ndërkohë realiteti objektiv i opozitarimit. Po të mos bëntë ajo opozitë, do të krijohej një opozitë tjetër e fuqishme, pasi opozitarizmi dhe alternanca janë në konstitucionin e shoqërisë së hapur. Por himnizimi dhe heroizimi i saj, duke vlerësuar gabim rolin e faktorëve të tjerë është plotësisht i gabuar dhe pa perspektivë. Kush e ndaloi ligjërisht Berishën për marrëveshjen e detit? Kush e ndërtoi akuzën për Ilir Metën, duke e detyruar të thërrasë në skenë ekspertet e fushës së druve? Kush i dha jetë lëvizjes kundër importit të plehrave dhe po lufton akoma dhëmb për dhëmb me qeverinë në një betejë të hapur? Kush po mban në këmbë pavarësinë dhe opozitarizmin në media si një faktor i dorës së parë për mbrojtjen e demokracisë?
Me i ndenjtë hazer qeverisë dhe me ju pervesh kryeministrit është detyra elementare e opozitës. Në kushtet e sotme me ju përvesh Berishës me shabllone është berë edhe një lloj statusquoje. E përseris se rrotacioni dhe rilindja kërkojnë tejkalimin e Berishës si mendësi dhe kulturë.