Heshtja propagandistike

Heshtja propagandistike
Hahaha! Kryeministri i Shqipërisë qenka udhëruar nga heshtja “rri ti, të flas unë”, me fjalë të tjera paska lënë heshtjen të flasë dhe vetë qenka tërhequr në meditim dhe paqe si në ato ashramet e Indisë, siç e kishte zakon Mahatma Gandi apo siç e bënin dhe e bëjnë herëpashere edhe politikanët europianë të erës moderne, Zhak Zhirak, përshembull kur ishte President i Francës.
Po qeshim me të madhe sepse askush në Shqipëri nuk e kishte vënë rë një gjë të tillë, askush nuk kishte konstatuar se kryeministrit po mbante heshtje shtypi. Veç kur e tha vetë në një konferencë me gazetarët.
Publiku e ka parë edhe gjatë qershorit e korrikut, si gjithmonë prej shumë vitesh, duke folur live apo në kronika të përmbledhura në një dyzinë ekranësh njëherësh, herë gjatë e herë shkurt, sot në mbledhjen e grupit parlamentar, nesër në mbledhjen e qeverisë, pasnesër në seancën e Kuvendit, tjetërpasnesër në konferenca, seminare, takime, pritje, udhëtime, përurime, inspektime, në mbledhjen e qeverisë së vogël përsëri, në mbledhjet e komiteteve ndërministrore, duke dhënë vazhdimisht lajme të mira dhe sihariqe për vendin që nuk përparon më dhe për popullin që gdhihet përditë e më hollë nga paratë dhe plengu. Nuk kam mbajtur dhe as kam ndërmend të mbaj shënime për një gjë tashmë të pakuptimtë, po ma merr mendja se nuk ka ditë të vitit që të mos flasë në televizion apo në gazeta ky kryeministër.
Ndërkaq e them me siguri se nuk ka kryeministër në Europë që të dalë me shpesh e të flasë me shumë se ai në media, kryesisht para audiencave standarte, të rregulluara apo të porositura.
Ku është heshtja atëherë? Për çfarë heshtjeje bëhët fjalë? A mos vallë akoma i duken pak daljet e përorshme dhe të përditshme, sa të mendojë se nga dalja në dalja ka akoma rezerva për dalje të reja, rezerva që për momentin i paska në hartë heshtja?
Vetëm atij i duket se është duke heshtur po të mos mos flasë në media një ditë apo larg qoftë dy ditë. Në fakt shumica e njerëzve nuk i vënë re fare këto pauza e shkurtëra të bombardimit mediatik me figurën e kryeministrit.
Përshtypja e përgjithshme është se Berisha është kurdoherë prapa ekranit, sapo të shtypësh komandën. Flet, flet, flet, flet duke mos e fshehur dot thelbin agjitativ-propagandistik të diskurit të tij, gjë që eshtë deri diku e kuptueshme për një kryeministër që e mbështet suksesin te dukja e jashtme e gjërave dhe jo të përmbajtja e tyre reale. Por duke kaluar vitet, duke thënë të njëjtat gjëra, duke komunikuar të njëjtat lexime rozë nga realiteti shqiptar i qeverisur prej tij, duke u mbyllur në
një rreth standart temash e trajtesash ai po rrezikon t’i ndodhë si Fidel Kastos, fjalamanit më të madh politik të shekullit të njezetë, për të cilin shkrimtari Roberto Bolano thoshte se rrethohej nga qartësia e gjërave që nuk thoshte, nuk ia kapte mendja apo nuk guxonte t’i zinte në gojë sepse do t’i duhej pastaj të rrëzonte fjalimet e tij kilometrike për sukseset virtuale të Kubës.
Që të mos i hakun, kryeministri ynë e njeh gjuhën e heshtjes. Kur deklaroi para gezetarëve se kishte lënë heshtjen të fliste ketë periudhë, ai kishte parasysh disa gjëra reale dhe konkrete, të cilat mezi kishte pritur t’i thoshte edhe me fjalë, që janë: zgjedhja e Presidentit të Republikës, miratimi me konsensus i së ashtuquajturës reformë zgjedhore, vendosja e një klime pozitive bashkëpunimi me opozitën. Nonsensi i këtij komunikimi ka të bëjë me faktin se përse duheshin përsëritur e nënvizuar me fjalë kumtesat e qarta dhe boll lakonike të heshtjes? Dashje pa dashje kryeministri ka vënë në dyshim inteligjencën e publikut duke marrë përsipër t’i përkthejë apo trasmetojë me fjalë ato që ka trasmetuar me heshtje. Në të vërtëtë kryeministri as e ka menduar këtë aspekt të çështjes. Duke mos ia besuar deri në fund heshtjes mesazhet që kanë përcjellë në publik zhvillimet e fundit politike në vend, pra duke i thënë heshtjes “ik ti se do flas unë tani”, ai thjesht ka zbuluar se edhe heshtjen ashtu si fjalën e ka kryesisht propagandistike.
Kam zgjedhur Presidentin e Republikës në një proces transparent, të hapur e kushtetues duke shënuar një rezultante të përputhshme me atë që kisha në mendje e do të kisha zgjedhur pa llogaritur opozitën dhe faktorin ndërkombëtar.
Kam miratuar me konsensusin e Partisë Socialiste një reformë zgjedhore njëlloj siç do ta kisha miratuar po të mos kisha asnjë kërkesë nga kjo parti opozitare.
Shoh se ka hyrë krimbi i sherrit në opozitë tani që kjo reformë u shkrua dhe u vulos, ndërsa unë do të filloj t’i mbledh tani aleatët e mi për të ndërtuar sëbashku me ta koalicionin me të shkëlqyer.
Shoh me kenaqësi se pasi nuk u shkrepi me presidentin konsensual dhe më disa pretendime të tjera që i marrin shënim pa u menduar gjatë kur vizitojnë selinë rozë, trojka e ambasadorëve të BE-së, SHBA-së dhe OSBE-së janë shumë të kënaqur me zhvillimet politike në Shqipëri dhe unë i garantoj ata se kështu do të kënaqen gjithmonë me faktin e kryer, pasi ky vend ka specifikat e veta, fakti i kryer është politikë, të tjerat janë muhabete.
Këto ishin mesazahet e heshtjes. I kishin kuptuar shumica dërmuese e shqiptarëve, por kryemnistrit nuk iu ndenj pa u dhenë edhe një veshje fjalësh plot shkelqim. Përse, përse zotëri nuk e le fisnikërisht heshtjen të ëmbëlsonte pa zë shpirtin e gjithë atyre që i mendojnë të mira këto zgjidhje dhe të helmonte gjithashtu pa zë shpirtin e atyre që i mendojnë të këqija, pa shpresë dhe pa të ardhme për gjithë çfarë po ëndërrojmë e po luftojmë këto vite? Përse nuk qëndrove i kurorëzuar prej heshtjes, por nuk t’u durua dhe dole në arenë te ngrije me dorën tënde të majtë dorën tëndë të djathtë të fitimtarit në këto zhvillimet e fundit politike?
Mos u gëzo, o i gëzuar, mos u hidhëro o i hidhëruar, thuhet në Bibël. Një heshtje tjetër, jo propagandistike, po shkruan fatin e Shqipërisë europiane në Bruksel. Do të presim e do të shohim se sa e sukseshsme ka qenë kjo periudhë e fitoreve qeveritare dhe pjesërisht edhe socialiste-opozitare për ëndrrën e integrimit europian të Shqipërisë.
Ndërkaq, një heshtje e re, jo propagandistike gjithashtu , e thërret në ashram, në kendin e të menduarit dhe të medituarit, kryeministrin e Shqipërisë për tu përballur më në fund me disa pyetje të thjeshta e themelore për stopimin e zhvillimit të vendit. Por kjo është tema e një shkrimi që do ta vijojmë radhën tjetër.

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Kreshnik Spahiu në Report TV: “Paketa e maleve” pozitive, por jo të gjithë emigrantët mund bëjnë bujtina apo hotele! Duhen oferta për kthimin e profesionistëve

Kreshnik Spahiu në Report TV: “Paketa e maleve” pozitive, por jo të gjithë emigrantët mund bëjnë bujtina apo hotele! Duhen oferta për kthimin e profesionistëve